×
  • Lajme
  • Botë
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Një vit ambasador në Beograd, çka ndikoi Christopher Hill atje?

    Insajderi
    08 March 2023 - 15:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Valixhja ime nuk do të peshojë me gjëra të së kaluarës, në Serbi shkoj me një perspektivë të re”. Kështu ishte shprehur para saktësisht një viti ambasadori i sapoemëruar amerikan në Beograd, Christopher Hill, shkruan Insajderi.

    Në fjalimin e tij të përgatitur para Kongresit amerikan, Hill kishte folur për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, normalizim ky, i cili, sipas presidentit amerikan Joe Biden, do të duhet të bëhet përmes “njohjes së ndërsjellë”.

    “Nëse konfirmohem [si ambasador], do ta inkurajoj Serbinë që të angazhohet seriozisht dhe urgjentisht të arrijë një kompromis”, kishte thënë ai para Kongresit.

    Në Serbi mediat, si ato të kontrolluara nga pushteti serb si ato opozitare, nisën interpretimet e tyre se çfarë ambasadori do të ishte Christopher Hil.

    Hill pritej të ishte rrënjësisht ndryshe nga ambasadori paraprak, mandati i të cilit u pre në gjysmë, Anthony Francis Godfrey.

    Ishte e sigurt se ai s’do të bënte cicërima në Twitter si Godrey, i cili më entuziast ishte për ushqimet që provon në restaurantet e Beogradit se sa temat kryesore politike, por se Hill do të implementonte rreptësisht politikat e Uashingtonit.

    Të tjerët e shihnin Hill si ambasadorin më të rëndësishëm amerikan që nga Lawrence Eagleburger, si dhe si mik personal të Joe Biden.

    Lawrence Eagleburger ishte ambasador në Jugosllavi në postin e mbajtur nga viti 1977 deri në 1980.

    Eagleburger gjithashtu ishte edhe këshilltar për çështjet e Jugosllavisë nga viti 1989 deri në 1992, diçka në atë kohë ishte bërë e debatueshme pasi ai fitoi një reputacion si një “partizan i fortë serb”. Ky “partizanitet” i tij i perceptuar bëri që shtypi evropian ta quante atë “Lorenci i Serbisë”.

    Eagleburger kishte lidhje të diskutueshme me Jugosllavinë si në promovimin e huave për Jugosllavinë si zyrtar qeveritar dhe më vonë duke shërbyer në bordin e një banke jugosllave si dhe me Yugo Motors, ShBA.

    Megjithatë një krahasim si ky ishte tejet i mangët dhe i paqëndrueshëm dhe entuziast.

    Të tjerë e shihnin si një diplomat i kalibrit të lartë, i cili do t’i ngriste marrëdhëniet bilaterale mes ShBA’së dhe Serbisë në një nivel tejet të lartë, shkruan Insajderi.

    “Hill ndryshe nga Madeleine Albright [më 1999]. Hill dëshmoi se ishte një person që kërkonte kompromise në Rambuje”, shprehej profesori universitar serb, Stevan Nedelljkoviq.

    Hill, me të nisur punën

    Agresioni brutal rus në Ukrainë që nga 24 shkurti kishte ndërruar gjithçka ndërsa Serbia pretendonte neutralitet. Bota s’është më ajo çfarë ka qenë, pohonte ai, dhe se Serbia duhet të peshojë përkatësinë e saj.

    “Edhe vetë një shtet si Zvicra që në fakt e ka shpikur fjalën ‘neutralitet’ ka qenë shumë aktive në përpjekjet e saj për të ndihmuar popullin ukrainas”.

    “Edhe vende tjera që kanë qenë shumë të dedikuara ndaj propozicionit të neutralitetit si Suedia kanë siguruar ndihmë popullit ukrainas, dhe më me rëndësi ndaj forcave të armatosura ukrainase”, shpjegonte Christopher Hil në një konferencë në Beograd.

    “Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë më tej aq sa Serbia është e gatshme të vazhdojë më tej. Ne jemi gati të punojmë me serbët përmes një fryme të të qënit të hapur dhe respekti të ndërsjellë”, shprehej Christopher Hill.

    Në një intervistë dhënë për median serbe “Blic.rs” në korrik të vitit të kaluar, Hill kishte përçuar tri mesazhe të qarta amerikane për Beogradin.

    Pritjet e ShBA-së që Serbia të orientohet kah Perëndimi, arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohje të ndërsjellë (ndonëse diplomatikisht e shmangte një formulim të tillë, por me mesazh të njëjtë), dhe sanksionet ndaj Rusisë në lidhje me shkëputjen nga varësia e gazit rus.

    Hill dhe Asociacioni

    Në dhjetor të vitit të kaluar pas krizave të njëpasnjëshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill shprehej tashmë kategorik se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhej të formohej.

    “Pala kosovare po përpiqet të shoh se sa hapësirë ka për ndërkombëtarizimin e çështjeve të saja. Ndërsa pala serbe dëshiron të shohë se cilat janë të drejtat dhe e ardhmja e tyre kolektive në Kosovë. Ne duhet të merremi me këtë. Amerikanët dhe evropianët i thanë Kurtit të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve”, pati thënë Hill për Tv Insajder.

    Hill më tej shprehej optimist se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kuptuar se “çështja e së ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut i tij”.

    Por, thoshte ai, “të jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshja të reja pa u zgjidhur çështja e Asociacionit”.

    Kohëve të fundit, Hill përsëri thotë se çështja e Asociacionit do të jetë “testi i seriozitetit” ndërkombëtar në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shkruan Insajderi.

    Ende është tepër herët për të dhënë vlerësim rreth takimit të Nivelit të Lartë në Ohër ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

    Hill vlerëson se bisedimet po shkojnë “në drejtim e duhur” ndërsa vlerësoi se “shumë njerëz” e shohin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si test për “seriozitetin” e bashkësisë ndërkombëtare. “Dhe, po, mund të them se janë [seriozë]”, shtoi ai.

    “Mendoj se po ecën në drejtimin e duhur, por duhet të presim e të shohim sepse askush nuk është pajtuar ende për diçka. Nuk do të doja të flisja për çështje specifike dhe afate kohore, mendoj se është e rëndësishme që çështjet të zgjidhen […]”

    “[…] që pas 10 viteve Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të formohet më në fund dhe se shumë njerëz këtë e shohin si test të asaj se sa serioz është komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështje dhe unë mund të them se janë. Duhet vetëm durim”, ka thënë Hill./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark