Zyra Kombëtare e Audimit (ZKA) ka gjetur një vaki interesante me tenderë në Komunën e Mitrovicës së Jugut. Në një tender për sigurim fizik në vlerë prej afro 400 mijë eurosh, kompania M-GR Security SH.P.K kur kishte prezantuar listën e punëtorëve, kishte rezultuar se njëri nga ta është njëkohësisht punëtor aktiv në Drejtorinë e Administratës, si monitorues i kamerave. Gazeta Insajderi ka hulumtuar më tej këtë rast, ku ka mësuar se zyrtari në fjalë është vëllai i pronarit të kompanisë fituese.
Labinot Tahiri, monitorues i kamerave në Komunën e Mitrovicës, figuron edhe në listën e punonjësve të paraqitur nga ana e operatorit ekonomik M-GR Security SH.P.K pranë autoritetit kontraktues të kësaj komune. Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë një dokument që dëshmon një gjë të tillë.

Labinot Tahiri, siç ka marrë vesh Gazeta Insajderi, është vëllai i Bashkim Tahirit, jo-zyrtarisht pronarit të kompanisë M-GR Security, e cila fitoi tenderin në vlerë prej afro 400 mijë euro për sigurimin fizik dhe sistemin e alarmit për komunë dhe institucione të tjera komunale.
Bashkim Tahiri figuron si “punëdhënës” në disa kontrata të mëhershme që janë prezantuar para Komunës së Mitrovicës. Tahiri e ka edhe në përshkrim nëpër rrjete sociale se është pronar në firmën në fjalë.
Gazeta Insajderi për këtë çështje ka adresuar pyetje me shkrim në Komunën e Mitrovicës, ku ushtruesi i detyrës së drejtorisë së Prokurimit, Kushtrim Mehaj, ka thënë se Tahiri s’ka qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse në hartimin e specifikave të tenderit dhe se s’mund të jetë konflikt interesi.
“Sa i përket pretendimeve se z. L.Tahiri është vëllai i pronarit të operatorit ekonomik, theksojmë se gjatë vlerësimit të ofertave komisioni i vlerësimit ka analizuar dokumentet e prezentuara nga OE në fjalë ku në Çertifikatën e Biznesit ARBK pronare figuron dikush tjetër dhe jo vëllai i tij siç po pretendonhet, edhe pse për aq kohë sa zyrtari në fjalë z.L.Tahiri nuk ka qenë pjesë e procesit të hartimit të specifikave, vlerësimit të ofertave ose nuk merr pjesë në proceset vendimmarrëse që kanë të bëjnë me operatorin ekonomik të përmendur nuk mund të quhet konflikt interesi. Në rast të kundërt, do të kishte elemente të konfliktit të interesit, i cili trajtohet sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Prandaj, nuk ka asnjë provë për të ndikuar në rezultatin e procedurës ose në vendimmarrjen e komisionit të vlerësimit“, deklaroi ai.
Insajderi po ashtu ka parë edhe një ankesë të operatorit ekonomik që u diskualifikua me çmimin më të ulët, Panther Security SH.P.K, në të cilën ekzistojnë pretendime se formulari në dorëzimin e tenderit operatori ekonomik fitues ka shënuar afatin e vlefshmërisë së tenderit 90 ditë, ndërkaq në dosje të tenderit kërkohet që vlefshmëria të jetë 120 ditë.
Në ankesë përmenden edhe mangësi teknike nga ana e M-GR Security SH.P.K sikurse mos-plotësimi i duhur i deklaratës nën betim, mosofrimi i dëshmive të transaksioneve bankare për operatorët ekonomikë sikurse kërkohet në dosje të tenderit dhe mos-shënim të përshkrimit të çmimit të ofertuar me fjalë, vetëm me shkrim. Për krejt këto, kompania po pretendon se ka shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, për çka edhe kanë kërkuar anulim të tenderit.
Lidhur me këto, Mehaj në një përgjigje për Insajderin ka deklaruar se të gjitha të lartpërmendurat kanë qenë në rregull.
“Po ashtu ju njoftojm se dokumentet e tjera në Ofertën e OE në fjalë kanë qenë në rregull sipas Ligjit të Prokurimit dhe Legjislacionit Sekondar ku Deklarata nën Betim është e plotësuar dhe e vulosur. Shtyerja e afatit është bërë sipas procedurës së prokurimit duke e ngarkuar edhe formularin me informata sqaruese B54 Formulari standard per korrigjimin e gabimeve ne njoftimet e publikuara të cilin mund ta gjeni edhe tek E-Prokurimi“, ka thënë ai.
Gazeta Insajderi ka raportuar një javë më parë lidhur me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Mitrovicës. Në këto gjetje, bëhet e ditur se si zyrtari në fjalë i sipërpërmendur figuron në emrin e listave të punonjësve të operatorit ekonomik fitues.
“Në dosjen e tenderit “Shërbimet e sigurimit fizik dhe sigurimi me sistem alarmi për komunën dhe institucione tjera komunale”, me vlerë të kontraktuar prej 391,420€ si kërkesë në dosje të tenderit tek kapaciteti teknik dhe profesional është kërkuar që operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi se ka minimum 20 punëtorë si dhe staf të mjaftueshëm për kryerjen e projektit si dhe të ketë minimum pesë (5) punëtorë të certifikuar për siguri dhe shëndet ne pune nga një kompani e licencuar për trajnimin dhe çertifikimin e punëtorëve në këtë fushë. Komisioni i vlerësimit kishte përzgjedhur si fitues një OE i cili në listën e stafit teknik ka dëshmuar për një punëtor të stafit me çertifikatë për siguri dhe shëndet në punë, roli i të cilit në kompani është menaxher, ndërkaq i njëjti është njëkohësisht punëtor aktiv i Komunës në pozitën (Monitorues i kamerave) në kuadër të Drejtorisë së Administratës“, thuhet në gjetjet e ZKA’së.
Auditori këtë e sheh si rrezik për konflikt të interesit, “pasi ai është njëkohësisht i angazhuar si pjesë e autoritetit kontraktues dhe si pjesë e subjektit ekonomik që ka fituar kontratën publike“.
Ky institucion ka rekomanduar që të forcohen kontrollet e brendshme dhe mbikëqyrja gjatë fazës së vlerësimit të procedurave të prokurimit, në mënyrë që të shmanget përzgjedhja e Operatorëve që nuk i përmbushin kriteret ligjore në Dosjen e tenderit.
Menaxhmenti i komunës së Mitrovicës – në krye të së cilit ndodhet Bedri Hamza i PDK’së dhe numri dy që po kandidon sërish për Mitrovicën Arian Tahiri – janë pajtuar me këto gjetje pa i kundërshtuar ato.
Për tenderin “Shërbimet e sigurimit fizik dhe sigurimi me sistem alarmi për Komunë dhe institucionet tjera komunale” kishin konkurruar tri kompani. Tenderin e kishte fituar M-GR SECURITY SH.P.K, e cila kishte prezantuar ofertën me vlerën më të lartë, prej 391,420 euro.
Komuna e Mitrovicës kësisoj i dha 66,445 euro më shumë fituesit të tenderit, se sa çmimi më i ulët i ofruar nga Panther SHPK.

Ndër të tjera, Auditori gjeti se komuna që udhëhiqet nga Hamza e Tahiri në katër procedura të prokurimit kishte shpallur fitues kompanitë që nuk kishin sjellë dëshmi për kriteret e vendosura në tender. /Insajderi.org/