Insajderi
Sport

Njeriu i katërt më i pasur në botë mund të bëhet pjesë e projektit të ri të Liverpoolit

Insajderi
22 July 2026 - 11:33
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Njeriu i katërt më i pasur në botë mund të bëhet pjesë e projektit të ri të Liverpoolit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, njëherësh personi i katërt më i pasur në botë, është kontaktuar për një investim të mundshëm te Liverpooli.

Bezos, 62 vjeç, e themeloi Amazonin në vitin 1994 dhe që atëherë ka ndërtuar një pasuri marramendëse prej rreth 256 miliardë dollarësh.

Ai ishte personi më i pasur në botë nga viti 2016 deri në vitin 2021, por më pas u tejkalua nga Elon Musk. Edhe bashkëthemeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin, aktualisht kanë një pasuri më të madhe se Bezos.

Sipas editorit të Sky News për çështje ekonomike, Mark Kleinman, Bezos është kontaktuar nga një konsorcium investitorësh që synon të investojë te Liverpooli.

Ky grup udhëhiqet nga Amit Bhatia, i cili për 19 vjet ishte drejtor dhe më pas bashkëpronar i klubit anglez Queens Park Rangers.

Bhatia është dhëndri i magnatit të çelikut Lakshmi Mittal, i cili dikur ishte personi më i pasur me origjinë indiane në botë.

Ai fillimisht u emërua zëvendëskryetar i Queens Park Rangers dhe bashkëpunoi ngushtë me trajnerin Neil Warnock, kur klubi siguroi ngjitjen në Ligën Premier në vitin 2011.

Sipas raportimit të Kleinmanit, Bezos tashmë ka zhvilluar bisedime me këtë grup investitorësh. Megjithatë, një burim ka bërë të ditur se ai ende nuk është i bindur nëse do të ecë përpara me një investim te Liverpooli.

62-vjeçari nuk është pronar i asnjë klubi sportiv. Edhe pse në vitin 2024 u raportua se ishte i interesuar për të blerë një klub të NBA-së, këto pretendime u mohuan shpejt.

Sipas revistës Forbes, në maj të vitit 2026 Liverpooli ishte vlerësuar me 4.6 miliardë funte, duke u renditur si klubi i katërt më i vlefshëm në futbollin botëror, pas Manchester Unitedit, Barcelonës dhe Real Madridit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark