Mentor Hyseni, kuadri i Vetëvendosjes që është kryetar i Bordit të Agjencisë së Privatizimeve ka një dënim. Insajderi ka siguruar edhe dokumentin. Ligji për këtë agjenci thotë që të dënuarit nuk mund të bëhen drejtor në bordin e saj. AKP-ja nuk është përgjigjur derisa Kryetari i Komisionit që mbikëqyr këtë agjenci në Kuvend ka thënë që do ta shqyrtojnë këtë informacion. Pavarësisht kësaj, Hyseni ia ka mësyrë postit të shefit të Administratës Tatimore
Visar Duriqi
Mentor Hyseni, një kuadër i partisë në pushtet është lavdëruar edhe nga vet Kryeministri Albin Kurti. Ai aktualisht është kryetar bordi në Agjencinë e Privatizimeve (AKP). Po qëndron në këtë pozitë edhe pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar.
Në këtë agjenci, por as vet Hyseni, të kontaktuar nga Gazeta Insajderi, nuk kanë pranuar që të komentojnë mbi vendimin e Gjyqit, dhe nëse i njëjti mund të qëndroi në këtë pozitë pas dënimit.
“Asnjë person nuk mund të bëhet ose të mbetet Drejtor nëse: 6.1.është dënuar për kryerje të ndonjë vepre penale që ngërthen elemente të mashtrimit, pas një procedure përkatëse dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe Kosovare”, thuhet në ligji për AKP-në (nr. 04/L-034) versioni i fundit, ai i vitit 2018, tek neni 12, pika 6, që flet për përbërjen e bordit.
Gazeta Insajderi e ka kontaktuar AKP-në, por edhe vet Mentor Hysenin, duke ua specifikuar bazën ligjore dhe dërguar detajet e vendimit të dënimit, që ka të bëjë me deklarimin e pasurisë, por deri tash asnjëra palë nuk ka komentuar.
Por, Ferat Shala që drejton me komisionin e Kuvendit që mbikëqyr punën e Agjencisë së Privatizimeve ka thënë që nuk ka qenë në dijeni për këtë dënim të Mentor Hysenit.
“Komisioni të cilin unë e udhëheq, nuk ka pasur dhe deri në këto momente nuk ka pasur informacion, që z.Hyseni ka pasur ose ka probleme me ligjin, andaj nuk e kemi trajtuar asnjëherë këtë çështje”. I ka thënë Insajderit deputeti Shala.
Ai tutje, pasi që ka pranuar informacionin nga Gazeta Insajderi, ka thënë që do ta trajtojnë këtë çeshtje.
“Tani që kemi informacion nga ana juaj, ne me seriozitet do ta trajtojmë këtë çështje brenda kompetencave që ka Komisioni. Njëkohesisht do te kërkojmë që të zbatohet ligji”, ka thënë Ferat Shala për Insajderin.
Çka thuhet në vendimin e Gjykatës kundër Mentor Hysenit?
Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin e Gjykatës në Prishtinë me të cilin më 1 nëntor 2023 është dënuar Mentor Hyseni.
“ËSHTË FAJTOR | Sepse: Tani i akuzuari M.H se, në cilësinë e zyrtarit të lartë publikë, Anëtar i Bordit të Drejtorëve – Agjencia Kosovare e Privatizimit, Prishtinë, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 par. 1 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, në atë mënyrë që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në afatin e parapare ligjor (brenda 30 ditëve), i njëjti nuk e ka deklaruar pasurinë brenda këtij afati, përkatësisht nga 01 mars deri me 31 mars të vitit 2022, për vitin paraprak nga 1 janari deri me 31 dhjetor të vitit 2021”, thuhet në vendimin që e ka Insajderi.
Sipas Gjykatës, Mentor Hyseni me këtë ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 1 të KPRK-së.
Andaj, gjykata konform dispozitave ligkjore përkatës Gjykata e dënoi dënohet me gjobë në shumën prej njëmijë eurosh.
Insajderi e ka pyetur Mentor Hysenin nëse ka bërë apelim të këtij vendimi, por i njëjti as në këtë pyetje nuk është përgjigjur.
“Prokurori i Shtetit pas shqyrtimit të lëndës dhe analizimit të provave ka ngritur Aktakuzë pran Gjykatës Themeiore në Prishtinë kundër të pandehurit Mentor (Heset) Hyseni, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar javë më parë në një përgjigje për Insajderin Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Në garë për Drejtor të ATK-së, në telashe me ligjin në AKP
Pavarësisht telasheve me ligjin di Kryetar Bordi në AKP, Mentor Hyseni ia ka mësyrë garës për Drejtor të Administratës Tatimore.
Në maj të këtij viti Ministria e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati shpali konkurs për Drejtorin e ATK-së.
Edhe pse nuk ka pasur kumtime publike, është raportuar se në garë janë rreth 10 kandidatë. Në mesin e tyre është edhe Mentor Hyseni.
“Certifikata që dëshmon se aplikuesi nuk është nën hetime (certifikata e marrë nga Policia e Kosovës apo nga gjykata kompetente, jo më e vjetër se sa data e publikimit të konkursit)”, është njëri nga kushtet.
Edhe pse ka dërguar pyetje, Gazeta Insajderi deri tash nuk ka marrë përgjigje nga Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati që dënimi nga Gjykata a e pengon Hysenin në garën për Drejtor të ATK-së.
Kujdesi i pushtetit të Kurtit për Mentor Hysenin
Ndonëse Hyseni kalonte kohë duke u përballur me një aktakuzë për deklarim të rrejshëm të pasurisë, kjo situatë nuk e pengonte aspak që të përfitonte poste të mëdha shtetërore.
Fuqimisht ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Më 2021. Pas dy viteve, më 2023, ishte emëruar kryesues i bordit të AKP’së.
Ndërsa më herët, në Qeverinë Kurti 1 ishte emëruar anëtar I bordit të përkohshëm të Ujësjellësit Prishtina.
Megjithatë, pushteti i Kurtit nuk ishte kujdesur vetëm për Hysenin. Por, edhe për familjarët e tij.
Vëllai i gruas së tij ka përfituar një post tejet të lartë. është emëruar në postin e krye-shefit të ndërmarrës publike- KOSTT.
Hyseni që tash synon të bëhet drejtor I ATK’së në zgjedhjet e vitit 2019 kishte provuar të bëhej deputet. Kishte humbur garën.
Ai kishte aderuar në Vetëvendosje në gusht të vitit 2019. Aderimin e tij e kishte njoftuar Kurti.
E kishte lavdëruar atëkohë kandidatin e tashëm për drejtor të ATK’së.
“Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Pubiike në vendin tonë”, kishte shkruar Kurti.
Hyseni më pas kishte vazhduar aktivitetin politik në VV. Madje kishte qenë edhe donator i vogël i partisë, duke dhënë para për mbështetje të fushatës zgjedhore./ Gazeta Insajderi