Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Gjakova”, Hasan Krasniqi, i cili ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për asambleist, ka blerë një anije të padoganuar nga një biznes i lidhur me mikun e familjes. Kompania e përzgjedhur për blerjen e anijes, “Lind Fix”, është në pronësi të Arlind Hasimenit, siç mëson Gazeta Insajderi vëllai i gruas së Muhamet Krasniqit, vëllait të Hasanit.
Barka, e cila kushtoi 24 mijë euro, është bllokuar në Doganën e Kosovës, pasi nuk janë ndjekur procedurat e doganimit, si rrjedhojë ka mbetur pa u shfrytëzuar.
Dyshimet për “dallavere” në tender
Në korrik 2024, KRU “Gjakova” shpalli tender për blerjen e një barke/anije të vogël, që do të përdorej për monitorim, kontroll dhe mirëmbajtje të liqenit të Radoniqit.
Më 8 gusht, autoriteti kontraktues, në rastin konkret KRU “Gjakova”, ia besojë tenderin “Lind Fix”, vlera e kontratës saktësisht ishte 24,500 euro.
Dyshimet për parregullsi në këtë tender lindën kur u zbulua se kompania e përzgjedhur, “Lind Fix”, ishte regjistruar vetëm dy javë para hapjes së tenderit, më 23 korrik 2024, ndërsa kontrata u nënshkrua me 16 gusht 2024.
Barka e sekuestruar nga Dogana e Kosovës, ka afro 10 ditë po qëndron në ambientet doganore.
Theksojmë se më 19 shkurt të këtij viti kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, ishte arrestuar në Bullgari. U arrestua nga INTERPOL-i nën dyshimin për trafikim me qenie njerëzore. Ndaj tij kishte urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga policia italiane.
Por në muajin prill ai ishte rikthyer në punën e tij si kryeshef i KRU ‘Gjakova’.
Ky lajm u bë i ditur nga bordi i KRU ‘Gjakova’ përmes një postimi në ‘Facebook’, i ka uruar “mbarësi në punë”, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe: