Për shumë vëzhgues, ato do të duken çnjerëzuese dhe fyese. Për shumë ukrainas, megjithatë, ato janë një kujtesë brutale e fatit që i pret ushtarët rusë që marrin pjesë në pushtimin e Vladimir Putinit, si dhe një armë e fuqishme propagandistike.
Gjatë një viti e gjysmë të fundit, videot e dronëve kamikazë që ndjekin ushtarët rusë deri në vdekje janë shndërruar në një zhanër të veçantë në rrjetet sociale. Ato janë ideuar nga Robert Brovdi, kreu i forcave të sistemeve pa pilot të Ukrainës dhe themeluesi i “Magyar’s Birds”, të emërtuara sipas nofkës së tij ushtarake, raporton The Guardian.
Brigada e 414-të e sulmeve ajrore e Brovdit ka qenë pioniere në përdorimin e videove nga fushëbeteja, shumë prej të cilave regjistrohen nga dronë të tipit FPV. Videot e vdekjeve njihen si “yoblyks”, përcjell Insajderi.
Çdo mëngjes herët, një redaktor ushtarak i njohur me nofkën Catman shqyrton pamjet e betejave të regjistruara një ditë më parë, duke përzgjedhur disa prej tyre për një përmbledhje dymintëshe dhe duke i shoqëruar me muzikë pulsuese ose mistike. Një përmbledhje më e gjatë në internet titullohet “Yoblyks of the Week”.
Duke mbrojtur punën e tij, Catman tha se videot luajnë një rol të rëndësishëm në demoralizimin e rusëve të zakonshëm dhe në zbulimin e kostos së vërtetë të luftës së paprovokuar të Kremlinit.
“Qëllimi im është t’u tregoj rusëve se nëse mobilizohen në Ukrainë, do të vriten, se është një biletë vetëm vajtje dhe se vdekja po i pret”, tha ai.
Ai pranoi se pamjet janë përzgjedhur qëllimisht për të tallur viktimat, të cilët ndonjëherë shihen duke hedhur shkopinj drejt dronëve në përpjekje për t’i larguar nga trajektorja, ose duke u rrëzuar teksa vrapojnë. Momenti i vdekjes nuk shfaqet, por kuadri i fundit është një pamje nga afër e fytyrës së ushtarit.
“Ne kemi një shprehje: e qeshura e vret frikën. Detyra jonë kryesore është të qeshim me këta armiq dhe t’i paraqesim si të pafuqishëm. Kjo e rrit moralin e forcave tona”, tha ai. “Është e pamundur për mua të më vijë keq për ta. Në fund të fundit, kjo është luftë, jo film.”
Zakonisht, ushtarët rusë vriten teksa ecin ose udhëtojnë me motoçikleta drejt vijës së frontit. Disa prej tyre nuk janë të vetëdijshëm se janë në rrezik nga dronët, tha Catman, dhe duket se janë mashtruar nga komandantët e tyre.
“Trajnimi i tyre është i shkurtër. Shumë prej tyre vdesin vetëm dy javë pasi regjistrohen”, tha ai.
Ai i përshkroi shumicën e ushtarëve si “burra banalë, si gomarë”, të cilëve u është urdhëruar të transportojnë furnizime ose karburant drejt pozicioneve të ekspozuara ruse. Të tjerë tërheqin kabllo komunikimi. Që nga shkurti, kur Elon Musk mbylli shërbimin e tij të internetit satelitor Starlink në Rusi, oficerët në prapavijë kanë pasur vështirësi të kontaktojnë njësitë në vijën e frontit.
Një tjetër pjesëtar i “Magyar’s Birds” tha se ekzistojnë prova bindëse se rusët mashtrohen rregullisht lidhur me rreziqet.
“Ju mund ta shihni në video se shumë prej tyre as nuk fshihen. Ata përdorin radiot e tyre. Një numër i madh mashtrohen nga gënjeshtra se gjithçka do të jetë në rregull, se po shkojnë në pozicionet e tyre dhe janë plotësisht të sigurt”, tha ai.
Brigada ka një arkiv prej rreth 3,600 videosh. Vetëm dy prej tyre shfaqin gra, të dyja të veshura me uniforma luftarake dhe të armatosura me pushkë sulmi.
“Për mua nuk ka dallim. Të gjithë janë armiq”, tha Catman.
Videot luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në verifikimin e humbjeve ruse, të cilat, sipas Kievit, arrijnë në më shumë se 30 mijë ushtarë të vrarë ose të plagosur në muaj.
Brovdi tha se nuk ka asnjë shqetësim për publikimin e materialeve që shumë njerëz në Perëndim mund t’i konsiderojnë të pakëndshme dhe moralisht të dyshimta.
“Zoti na ruajtë që ata të mos përjetojnë kurrë dhimbje. Sepse ata prej nesh në Ukrainë që kemi përjetuar dhimbje të vërtetë fizike nga lufta, nuk do të pajtoheshim kurrë me atë perspektivë”, tha ai.
Në postimet e përditshme, Brovdi përdor një gjuhë që disa mund ta konsiderojnë të panevojshme, duke i përshkruar, për shembull, rusët si “krimba” të çukitur nga “zogjtë”.
“Kur filloi lufta, gjithçka ndryshoi. Kishte një dëshirë për ta poshtëruar armikun sa më shumë që të ishte e mundur, jo me fjalë tipike, por me fjalë ekzotike. Ishte krejt e natyrshme që folklori teknik ushtarak dhe fjalë të krijuara si ‘yoblyk’ të gjenin rrugën e tyre në të folurën time. Ato ekzistonin para inteligjencës artificiale”, tha ai.
Sipas Catman, yoblyks kanë një audiencë të gjerë, përfshirë edhe brenda Rusisë.
“Atje ka shumë pak informacion për ushtarët që zhduken. Disa njerëz i kërkojnë dhe bëjnë fotografi të ekranit. Më pas nënat ose gratë publikojnë mesazhe duke thënë se diçka e keqe u ka ndodhur të dashurve të tyre”, tha ai. /Insajderi.org/