×
Analiza

Njohje apo anëtarësim në NATO –  Çka dihet deri tash për propozimin franko-gjerman?

Insajderi
31 October 2022 - 10:42
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kanë kaluar më shumë se një muaj prej kur në publik ka dal lajmi se ekziston një propozim  i dy prej vendeve më të fuqishme Evropiane Francës e Gjermanisë për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Por çka saktësisht përmban ky propozim?

Para më shumë se një muaj më parë rrodhën informacione se Franca dhe Gjermania, kanë përpiluar një plan të cilin ua kanë dorëzuar liderëve të Kosovës dhe Serbisë, se si do të mund të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve pas më shumë se 10 vjetëve nga nisja e negociatave.

Në publik nuk u dhanë informacione zyrtare se çka parashihet në këtë propozim franko-gjerman, por zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe Serbisë e kanë konfirmuar se tashmë se kanë njohuri për këtë  propozim.

Në Kosovë janë dy versione që kanë qarkulluar deri tash rreth kësaj çështjeje, shkruan Gazeta Insajderi.

E para që në këtë propozim nuk parashihet njohja e Kosovës nga Serbia, por vetëm njohja nga pesë vendet anëtare dhe lejimi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Derisa sipas versionit të dytë, në thelb të marrëveshjes është njohja e Kosovës shtet nga Serbia, në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Asnjëri version deri tash nuk është konfirmuar nga krerët më të lartë në Kosovë, shkruan Gazeta Insajderi.

Kryeministri Albin Kurti me 10 tetor deklaroi se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.

“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare, që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”, tha Kurti.

Ai tha se për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t`i zbulojë në opinion idetë, shkruan Insajderi.

Derisa zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, konfirmoi se ka një afat brenda të cilit Kosova duhet të deklarohet nëse e pranon propozimin franko-gjerman.

Të enjten Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen tha se asnjëherë nuk e ka mohuar ekzistencën e planit franko-gjerman për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Në fakt asnjëherë nuk e kam mohuar, ky është një konstatim i gabuar. Në çdo deklaratë kam thënë se ekziston një deklaratë franko-gjermane.  Do të ketë takime në mënyrë që detajet e kësaj iniciative që kanë për qëllim paqen dhe stabilitetin në rajon të shpjegohen më në detaje”, tha Osmani.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nga ana tjetër tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që vendi i tij, të lejojë hyrjen e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se Serbia nuk do të “poshtërohet më tej dhe nuk do të detyrohet ta njohë zyrtarisht Kosovën”, por, duke mos reaguar, do të jepte sinjal të heshtur se pajtohet.

Ndonëse e quajti fillimit si të papranueshme këtë Vuçiq shtoi se është e papërgjegjshme dhe joserioze që propozimi franko-gjerman të hidhet nga dritarja.

Më tej Vuçiq përsëriti se thelbi i propozimit të Gjermanisë dhe Francës është që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në këmbim të kësaj, sipas tij Serbia do të kishte “hyrje të shpejtë në BE dhe ndoshta përfitime të konsiderueshme ekonomike”.

“Çfarëdo që të propozojnë vendet evropiane duhet marrë seriozisht”

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës së fundit në Kosovë lidhur më propozimin franko-gjerman tha se tani është momenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

Lajçak ka pranuar se ndër diskutimet që ka pasur me Kurtin ishte edhe propozimi franko-gjerman, porse ka refuzuar të japë detaje.

“Sigurisht, ne e kemi diskutuar këtë. Kjo është arsyeja pse unë vij këtu në baza javore. Por siç thashë, shpresoj se do ta kuptoni se nuk do ta ndihmonte procesin nëse do të isha ai që do të hyja tani në detaje, do të thoja se kemi një diskutim shumë serioz, shumë të mirë, shumë konservativ, profesional. Këto janë çështje të ndjeshme dhe unë jam në kontakt javor edhe me kryeministrin Kurti, edhe me presidentin Vuçiq për këtë”, tha Lajçak në Prishtinë.

Mënjëherë pas tij, në Kosovë erdhi edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përvec që e konfirmoi se ekziston propozimi, ai dha mbështetje të plotë për të. Escobar deklaroi se “çfarëdo që të propozojnë vendet evropiane në lidhje me dialogun, duhet marrë seriozisht”.

“Ne do ta mbështesim atë”, tha Escobar.

Ai shtoi se, siç i është shpjeguar, “ky propozim do ta zhbllokonte Kosovën, por potencialisht edhe Serbinë, në rrugën e integrimeve euroatlantike”.

Sipas asaj që tha Escobar në Prishtinë, Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së marrëveshjes, duke theksuar se ka dëgjuar nga kolegët nga Evropa se kjo është “çështje javësh dhe jo vitesh”.

Escobar sqaroi se bëhet fjalë për një marrëveshje për hapat e ardhshëm.

Ani pse në Kosovë kishte deklarata se propozimi franko-gjerman nuk parasheh njohje të Kosovës dhe Serbisë, Escobar tha se kjo do të ndodhë dikur – çështja është vetëm se kur do të ndodhë.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, po ashtu ka folur për këtë çështje.

Ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet ta konsiderojnë seriozisht ofertën e Parisit dhe Berlinit sepse “është e mundur që tjetra të mos jetë më e mirë se e fundit”.

Sipas saj, Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë një kompromis të qëndrueshëm dhe të gëlltisin disa pilula të hidhura në rrugën e përparimit.

“Ne e mbështesim plotësisht dhe në mënyrë të palëkundur punën e Miroslav Lajçakut dhe besoj se qëllimi mund të jetë real”, tha Cramon, kur është pyetur nëse marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Çka dinë opozita për propozimin franko-gjerman?

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për InDoks, ka deklaruar se ky propozim nuk është ashtu siç ka dalë në media, teksa ka shpalosur detaje të këtij dokumenti.

Sipas tij, plani që është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shtynë Kosovën drejt anëtarësimit në NATO.

“Unë e kam pa dokumentin nuk është i njëjti me atë që është thënë në tërësi me atë që është publikuar në disa media në Kosovë, fryma mund të jetë e njëjtë, por se si e kam kuptu unë planin franko-gjerman i cili ka mbështetje të plotë amerikane është që duan ta lëvizin Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, partneriteti për paqe dhe plani i veprimit janë hapat e parë. Njohja e 5 vendeve të BE-së, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe në disa organizata të tjera”, ka thënë Hoxhaj për Insajderin.

Nga ana tjetër ish-kryeministri Ramush Haradinaj, me siguri të plotë e thotë se në projektin që e ka parë është njohja e Kosovës nga Serbia.

Sipas lideri të AAK-së, dokumenti i cili është ofruar për marrëveshje, e ka njohjen e Kosovës në mënyrë eksplicite në përmbajtje. Ai tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet këtë vit, derisa planin franko-gjerman është final dhe se nuk ka marrëveshje tjetër.

“Materiet që i ka Kosova dhe Serbia janë për normalizimin e plotë. Marrëveshja mund të mos quhet marrëveshje për njohje, mund të quhet marrëveshje për normalizim, por në përmbajtje e ka njohjen”, ka deklaruar Haradinaj, sipas të cilit, kjo është mënyra eksplicite e marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Kjo, sipas tij, është krejtësisht e pastruar dhe se nuk ka asnjë ndërhyrje në këtë.

“Kjo është marrëveshja finale, nuk do të ketë marrëveshje tjetër, nuk të ketë më negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë për asgjë tjetër kjo është finalja”, tha Haradinaj. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark