Në muajt e ardhshëm Serbinë presin sfida të mëdha rreth Kosovës, Republikës Serbe dhe marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën, dhe nëse ajo nuk vepron sipas dëshirës së qendrave perëndimore mund të përballet me sanksione serioze politike dhe ekonomike të SHBA dhe BE-së, shkruan gazeta proqeveritare serbe “Novosti”.
“Sipas informacionit tonë, Beogradi zyrtar së shpejti mund të përballet me kërkesa të hapura që të ndërpresë bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë KB, si dhe të ndalojë furnizimin me armë ruse dhe të ngadalësohet ardhja e investimeve kineze”, shkruan gazeta.
Ky lloj shtrëngimi i lakut rreth Serbisë praktikisht u bë e ditur nga një treshe lobistësh shqiptarë në Uashington – kongresmeni Eliot Engel, ish sekretarja e shtetit e SHBA Madeleine Albright dhe analisti politik Daniel Server.
Të martën, në seancën dëgjimore të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbi rekomandimet për administratën e presidentit të ardhshëm të SHBA Joseph Biden për udhëheqjen e politikës ndaj Ballkanit Perëndimor, ata haptas i kërkuan që Serbisë t’i ndalohet hyrja në BE derisa ajo të njohë Kosovën e pavarur, të heqë dorë nga RS, si dhe dhe shkëpusë lidhjet me Moskën dhe Pekinin.
“Engel, Albright dhe Server, gjithashtu i rekomandojnë Biden-it që të bëjë kthesë në politikën ndaj Serbisë të cilën e ka udhëhequr presidenti në largim i SHBA Donald Trump dhe që Shtëpia e Bardhë të bëjë presion më të fortë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq që të jetë më bashkëpunues në tri tema kryesore – Kosova, BeH dhe largimin e Rusisë dhe Kinës nga rajoni.
Presidenti Vuçiq deklaroi të mërkurën se nuk ka dyshim se do të përballet me presione gjithnjë e më të vështira dhe se Serbia është në një situatë të vështirë:
“Mendoj se tani është e qartë se sa kam pasur të drejtë kur kam thënë se pikëpamjet e administratës së Biden nuk shkojnë në favor të Serbisë. Ne do të përballemi me presionet më të rënda të mundshme kur bëhet fjalë për njohjen e Kosovës, unë kurrë nuk e kam fshehur këtë. Shumica në Serbi janë të lumtur për këtë, duke menduar se është drejtuar kundër meje, ndërsa kjo është drejtuar kundër të gjithëve në Serbi. Të gjithë do të donin që Serbia përsëri të bëhet e parëndësishme dhe e dobët, siç ishte në vitet e mëparshme”, ka thënë Vuçiq./Insajderi.org.