Nuk është momenti për tensione me Turqinë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Nuk është momenti për tensione me Turqinë

    Insajderi
    16 May 2017 - 11:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sërish Turqia i ka ndaluar deputetët e Bundestagut që ta vizitojnë Bundeswehr-in në bazën e Incirlikut. Eksperti i Mbrojtjes, Markus Kaim, nuk mendon se tërheqja e ushtarëve gjermanë nga kjo bazë do të ishte ide e mirë.

    DW: Zoti Kaim, Turqia u ka ndaluar deputetëve të Bundestagut që t’i vizitojnë ushtarët gjermanë në bazën ajrore ushtarake të Incirlikut. A u mbush tani kupa dhe a është e pashmangshme tërheqja e ushtarëve të Forcave të Armatosura gjermane të stacionuar atje?

    Markus Kaim: Unë nuk do të shkoja kaq larg. Është hera e dytë që qeveria federale konfrontohet me këtë situatë. Në prag të rezolutës së Armenisë në Bundestagun Gjerman ka ndodhur një situatë e ngjashme. Më tërheq vëmendjen sa fort reagon Bundestagu, pra pushteti legjislativ, në një kohë që qeveria federale, pra pushteti ekzekutiv, sillet krahasimisht i përmbajtur.

    DW: A bën qeveria gjermane me këtë sjellje një gabim të madh?

    Natyrisht që tani mund të përplasësh këmbët nga inati dhe me gjeste të mëdha ta tërheqësh kontigjentin e ushtrisë gjermane nga Incirliku dhe ta zhvendosësh në Jordani. Por kjo nuk ndryshon gjë në faktin se Turqia mbetet një partner strategjik: nga njëra anë për misionin e koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, dhe nga ana tjetër, për të frenuar krizën e refugjatëve. Nuk duhet harruar edhe se një paqëtim i luftës në Siri mund të arrihet vetëm me Turqinë. Prandaj për mua është e kuptueshme që qeveria gjermane nuk dëshiron t’i hedhë më tepër benzinë zjarrit.

    DW: Shumë vëzhgues shohin në ndalimin e vizitës për parlamentarët një kthim tjetër kusuri për faktin se kohët e fundit janë pranuar në Gjermani kërkesa për azil, të shtruara nga ushtarë turq të NATO-s. Si mund të reagosh si duhet në këtë situatë?

    Qeveria gjermane nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse të tërheqë vëmendjen në faktin që këto procese do të ndjekin rrjedhën e tyre, të përcaktuar në shtetin juridik. Për njohjen e kërkesave për azil gjithsesi nuk është kompetente qeveria gjermane, por drejtësia gjermane. Kjo do të thotë, se qeveria gjermane i ka këtu duart e lidhura dhe nuk është e vetme në këtë drejtim: deri tani, në Turqi kanë dorëzuar faktikisht vetëm një oficer të vetëm turk, të cilin e kërcënon një proces gjyqësor, dhe atë e ka dorëzuar Bullgaria. Të gjitha shtetet e tjera të NATO-s janë pozicionuar ngjashëm si Gjermania.

    DW: Pra e duhet të mësohet politika gjermane me provokimet nga Turqia?

    Tensionet në marrëdhëniet gjermano-turke të sigurisë do të vazhdojnë. Turqia ndodhet paralelisht në kërkim të një kursi të ri në politikën e jashtme. Ajo nuk i kthen detyrimisht kurrizin Perëndimit, por kërkon me këmbëngulje bashkëpunime me qeveri joperëndimore, në radhë të parë me rusët. Këtë ne e shohim në blerjet e armëve dhe në bashkëpunimin diplomatik. Si duket: kërkesat e Perëndimit nuk pranohen më, sepse ka alternativa.

    Markus Kaim ist Senior Fellow në Fondacionin Shkenca dhe Politika (SWP). Fushat e specialitetit të tij janë politika e sigurisë dhe e mbrojtjes, veçanërisht në kuadër të misioneve multinacionale.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark