Katër persona nga Kosova janë kapur të ënjtën në kufirin e Rumanisë me Serbinë, teksa po tentonin të futeshin në Rumani. Katër burrat nga Kosova kanë aplikuar për azil në Rumani, për shkak se nuk gjenin vend pune në Kosovë.
Siç njofton Policia e Rumanisë, katër personat kanë pasur dokumente të Kosovës me vete.
“Gjatë natës së 12.22.2016, rojet kufitare të Policisë Kufitare të Sektorit Moravita, në Timis, kanë ndërmarr një aksion specifik kundër migrimit ilegal dhe krimit të kalimit të kufirit. Katër persona të cilët mbanin me vete dokumente të shtetit të Kosovës, janë marrë në departamentin policor të Moraviotës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rumanisë.
Burrat nga Kosova, të cilët ishin nga mosha 22 deri në 30, i kishin thënë policisë rumune se kishin vendosur që të shkojnë në Rumani, përmes kufirit me Serbinë, sepse në Kosovë nuk ka punë, njofton mediumi rumun “MediaFax”, raporton Insajderi.
Katër kosovarët kanë aplikuar për azil në shtetin e Rumanisë, njoftojnë mediet rumune. /Insajderi.com