Gazetari Parim Olluri ka komentuar situatën e krijuar sot në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me propozimin e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq.
Olluri ka rikujtuar se në vitin 2021, deputetët e Vetëvendosjes kishin votuar një kandidat të propozuar nga Simiq me formulimin “në emër të popullit serb”.
Sipas tij, VV-ja tash po e përdor si pretekst pretendimin për shkelje kushtetuese, ndërsa akuzoi partinë në pushtet se po synon të bllokojë formimin e institucioneve.
“Ne vitin 2021 iu konvenonte propozimi i Simiqit ‘në emër të popullit serb’. E kishin pushtetin prej mbi 50 përqind. Deputetët e Vetëvendosjes e patën votuar kandidatin që u propozua ‘në emër të popullit serb’”, ka shkruar Olluri.
Ai ka shtuar se Vetëvendosje, sipas tij, po përdor çështjen kushtetuese si arsyetim për të mos lejuar konstituimin e institucioneve.
“Këta Kushtetutën e shkelin me dy këmbët. Nuk janë as anti-Serbisë e as patriotë. Thjesht s’po i pëlqen përqindja e fituar në zgjedhjet e fundit. Po përdoren pretekste për të bllokuar formimin e institucioneve deri në zgjedhjet e synuara më 27 dhjetor”, ka deklaruar ai.