“Nuk ka asgjë apolitike në këtë vend”, pohimi i kryeministrit që `legjitimoi` politizimin e bordeve  - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Nuk ka asgjë apolitike në këtë vend”, pohimi i kryeministrit që `legjitimoi` politizimin e bordeve 

    Insajderi
    26 August 2016 - 20:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në dhjetor të vitit 2014, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nënshkruan marrëveshjen e koalicionit qeverisës, duke i dhënë fund kështu krizës gjashtë mujore institucionale.

    Marrëveshja e arritur mes këtyre dy partive, për qeverisje katër vjeçare, parashihte ndarjen e barabartë mes tyre të të gjitha pozitave drejtuese të institucioneve qendrore të vendit.

    Saktësisht në pikën 7 dhe 8 të marrëveshjes specifikohej se përveç ministrive dhe pozitave tjera udhëheqëse të nivelit qendrorë, ata do të vendosnin në mënyrë të barabartë, njerëzit e partive të tyre edhe në institucionet tjera të themeluara nga qeveria dhe kuvendi.

    Rrjedhimisht edhe në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura.

    Neni 7 thekson se “ PDK dhe LDK pajtohen se ndarja e ministrive dhe e pozitave të tjera udhëheqëse në nivelin qendror të bëhet në mënyrë të barabartë, sipas ligjit nga palët nënshkruese të kësaj marrëveshje”.

    Ndërsa neni 8 i marrëveshjes flet për ndarjen e pushtetit edhe jashtë ministrive.

    “Parimit të ndarjes së barabartë i nënshtrohen të gjitha pozitat, të cilat janë të themeluara nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, sipas ligjit”, shkruan në marrëveshjen e 8 dhjetorit.

    78

    Kjo marrëveshje politike për ndarjen e posteve në borde publike është vlerësuar si jo legjitime nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Rouiri O`Conelli.

    Ai ka folur për përgjimet e fundit të zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, që po publikohen nga Gazeta online Insajderi, për mes të cilave dëshmohet ndikimi i kësaj parti në të gjitha institucionet e vendit, për të cilat tha se nuk janë risi.

    “Fatkeqësisht nuk mendoj se është vetëm një parti e përfshirë në këto apo që kanë të bëjnë vetëm me një parti por kemi pasur skandale të tjera, vetëm marrëveshja e koalicionit PDK-LDK, të cilët janë pajtuar se si t`i ndajnë bordet, akti i ndarjes mes tyre ka qenë i kundërligjshëm”, ka deklaruar O`Conelli.

    Ambasadori britanik,  para disa ditësh ka nënshkruar me Isa Mustafën dhe Kadri Veselin një marrëveshje bashkëpunimi e cila i dedikohet fuqizimit dhe pavarësimit të bordeve të Agjensive të Pavarura.

    Përmes kësaj marrëveshje parashihet që bordet e ndërmarrjeve publike të zgjedhën përmes një kompanie të pavarur britanike, ajo do të financohet nga ambasada britanike. Kjo kompani  sipas O` Conell do ta përzgjedhë listën e ngushtë të kandidatëve më të mirë, pastaj u takon institucioneve kosovare ta zgjedhin kandidatin e suksesshëm.

    Kritikat më të mëdha drejt këtij koalicioni qeverisës janë bërë përkitazi për emërimet nëpër bordet e pavarura të ndërmarrjeve publike.

    Agjencioni Kundër Korrupsion në fillim të këtij viti kishte konstatuar se ka pasur shkelje të Ligjit për ndërmarrjet publike gjatë emërimit të 17 anëtarëve të bordeve të nëntë ndërmarrjeve.

    Sipas AKK-së shkelje të ligjit ka pasur në: Aeroporti i Gjakovës, InfraKos dhe TrainKos, kompaninë e ujësjellësit rajonal “Hidrodrini” në Pejë, Kompaninë e Ujësjellësit Mitrovicë, kompania e ujësjellësit “Radoniqi” në Gjakovë, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), si dhe Posta e Telekomunikacioni i Kosovës.

    Kryeministri Isa Mustafa e pranoi në janar të këtij viti se ka politizim të bordeve, ndonëse nuk ka ndërmarrë asnjë veprim pas opinionit të Kundër Korrupsionit.

    “Kemi arritur të kompletojmë pjesën më të madhe të agjensioneve të pavarura, kishte edhe shumë ankesa por nuk ishte qëllimi jonë të politizojmë, nuk kemi asnjë gjë apolitike në Kosovë”, pati deklaruar Mustafa.

    Kryeministri Isa Mustafa u zotua për depolitizim te tyre.

    “Jemi të atakuart shumë për pjesëmarrje të madhe të korrupsionit, dhe ne duhet ta zhdukim këtë ngase iu ndihmon në besimin e investitorëve të jashtëm”, tha ai. /Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark