Gjykatësi në Gjykatën Themelore të Ferizajt, Sahit Krasniqi i kishte shqiptuar dënim prej 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, Sokol Halilit, të dyshuarit për vrasjen e shtatzënës mbrëmë në QKUK, shkruan Gazeta Insajderi.
“Dënim me gjobë, pasi që është mbajtës i familjes dhe ka gjendje të rëndë ekonomike”, kjo është njëra ndër arsyetimit në aktgjykimin ndaj Sokol Halilit kur u dënua vetëm me gjobë për armë ani pse gjatë kësaj periudhe Gjykata ishte në dijeni se ndaj tij është ngritur edhe një aktakuzë për kanosje e ka urdhër që të mos i afrohet ish-gruas.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar gjyqtarin e procedurës, Sahit Krasniqi i cili ka sqaruar se pse e ka dënuar vetëm me gjobë prej 300 euro.
Sipas tij, ligji në fuqi përcakton dënimin me këtë shumë pasi që arma nuk ka qenë e vërtetë por me gaz.
“Ajo ka qenë armë më gaz, nuk ka qenë armë e vërtetë. Pa fishek pa predha.” Dispozita e akuzës ka qenë për armëmbajtje pa leje. Ai armën nuk e ka përdorur, atij iu ka gjetë arma”, tha ai.
I pyetur se a ka qenë në dijeni për veprat e të dyshuarit në të kaluarën, Krasniqi thotë se nuk e ka ditur për rastet e tjera dhe sipas tij në Departamentin e Krimeve të Rënda në Ferizaj nuk ka pasur rast tjetër.
“Nuk kam qenë në dijeni për rastet e tjera. Në departament të Krimeve të Rënda nuk ka pasur rast tjetër në emër të tij. Unë i marr parasysh të gjitha. Nuk ka ndodhur ndonjëherë të më anulohet ndonjë aktgjykim sepse I analizoj shumë gjërat”, deklaroi ai për Insajderin.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sahit Krasniqi, arma i ishte konfiskuar në mënyrë të përhershme.
“Konform nenit 366, par .3 të KPRK-së, një pistoletë me gaz DUAL, me numër serik EJ1…. me kalibër 9mm, prodhim i Turqisë si dhe një karikator, janë konfiskuar në mënyrë të përhershme”, thuhet në aktgjykim.
Sahit Krasniqi është gjyqtar i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Nga ana tjetër, Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinani, nuk ka dashur të komentoj rastin e vrasjes së gruas shtatzënë nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili.
E ndjera, Hamide Magashi ka pasur urdhër-mbrojtje për gjashtë muaj nga Gjykata Themelore e Ferizajt.
Mbrojtja e gruas së ndjerë ka qenë kompetencë e Policisë së Lipjanit.
Sipas Prokurorisë së Ferizajt kompetent për zbatimin e urdhrit është Policia e Kosovës.
“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”, thuhet në një njoftim të prokurorisë.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar komandantin e Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinanin po ai e ka mbyllur telefonin duke thënë se gjendet jashtë.
“Për çdo informatë i drejtoheni zyrës për media se jam jashtë”, tha ai shkurt duke e mbyllur telefonatën.
Lexo edhe:
Kronologjia e vrasjes mizore të Hamide Magashi
Një grua e re 35 vjeçare me foshnjën e saj që pritej ta sillte në jetë brenda këtyre dy ditësh, u vra nga ish-burri i saj, në duar të shtetit. E ndjera e kishte denoncuar për dhunë ish-burrin dhe ishte në proces divorci derisa ndaj vrasësit të saj ishte ngritur aktakuzë për “Kanosje”, kishte edhe një urdhër gjykate të mos i afrohej asaj. Ishte kapur edhe me armë zjarri, por Gjykata Themelore e Ferizajt e dënoi vetëm me gjobë. Por, përkundë të gjitha këtyre, Sokol Halili ishte lënë i lirë nga organet e drejtësisë, aq sa të thyente urdhrin e gjykatës e me armë zjarri, brenda hapësirës së një institucioni tjetër shtetëror – QKUK – të merrte dy jetë lehtësisht
Vrasjet më të rënda të grave në Kosovë nga bashkëshortët e tyre, e kanë një të përbashkët të hidhur. Për kërcënimet, dhunën psikike e fizike, është i njoftuar zyrtarisht edhe shteti. Respektivisht policia, prokuroria e gjykata.
Edhe në rastin e mbrëmshëm vrasësi Sokol Halili, ishte person i njohur për këto tri hallka të drejtësisë.
Ish-bashkëshortja e tij, tani e ndjera Hamide Magashi e kishte denoncuar Halilin në polici për dhunën që e ushtronte ai. Këtë e ka bërë para disa muajsh, shkruan Gazeta Insajderi.
Dhunën ndaj tashmë të ndjerës e kanë konfirmuar edhe familjarë të saj. Motra dhe dhëndri i saj, nga QKUK-ja aty ku edhe ndodhi krimi makabër deklaruan se e ndjera ka katër muaj që është ndarë nga vrasësi pasi ai ushtronte dhunë ndaj 35 vjeçares. Ajo ishte në muajin e fundit të shtatzënisë dhe brenda dy ditësh pritej ta kryente lindjen.
Lidhur me denoncimin e saj në polici, prokuroria Themelore e Ferizajt, kishte nisur hetimet. Me 10 gusht ajo e ngriti aktakuzën.
Ky institucion e ngarkonte Halilin me veprën penale “Kanosje”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M”, thuhet në konfirmimin e Gjykatës së Ferizajt.
Halili, në seancën e parë që është mbajtur për këtë rast me kishte kundërshtuar aktakuzën, me arsyetimin se nuk e pranon fajësinë për veprën penale.
“Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”
Gjykata me datë 18 nëntor ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.
Pas një muaji, nga ngritja e aktakuzës, zyrtarisht u kërkuar edhe urdhër mbrojtje ndaj 35 vjeçares Hamide Magashi. Këtë e bëri Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj.
“Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”, thuhet në konfirmimin e gjykatës.
Me 13 shtator, gjykata lëshoi vendimin për udhërmbrojtje. Rrjedhimisht ish-bashkëshorti Sokol Halili, nuk do të guxonte t`i afrohej ish-bashkëshortes me të cilën sipas familjarëve ishte në proces divorci.
Sipas këtij vendimi, Hamide Magashi ishte në mbrojtje të shtetit për gjashtë muaj. Urdhëri i gjykatës do të duhej të zbatohej nga policia e Kosovës.
“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2022”.
“Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”, thuhet më tej në konfirmimin e Gjykatës së Ferizajt.
Brenda periudhës gjashtë mujore sa ishte në fuqi urdhëri për mbrojtjen e Hamide Magashit, edhe një zhvillim tjetër kishte ndodhur në organet e drejtësisë.
Sokol Haliti, që ishte kapur nga Policia e Kosovës me armë të zjarrit, shpëtoi lehtësisht edhe përkundër që kishte aktakuzë për kanosjen e bashkëshortes dhe urdhër të prerë që të mos i afrohej.
Gjykata i dha vetëm dënim me gjobë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, thuhet në konfirmimin nga gjykata.
Gjatë krejt kësaj periudhe prej muajit gusht e deri natën kritike, Sokol Halili ishte lënë i lirë nga paraburgimi.
Halili e vrau ish-gruan dhe foshnje që pritej ta sillte në jetë brenda këtyre ditësh, por u largua pa arritur të kapej nga Policia. Ndodhet në arrati edhe pas gati 20 orësh prej kur kreu vrasjet. Derisa trupi i Hamide Megashit ndodhet në Institutit të Mjekësisë Ligjore për Obduksion. /Gazeta Insajderi