![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla kishte deklaruar se nuk ka asnjë policë të bllokuar mes barrikadave të vendosura në Veri. Para tri dite, në një konferencë për media, ai ishte pyetur rreth lajmit se katër policë janë bllokuar në Veri. Ai e kishte mohuar. Ndërsa sot policia e konfirmoi.
“Nuk kemi kurrfarë bllokade të pjesëtareve të Policisë së Kosovës në veri. nuk ka asnjë rrezik të pa menaxhueshëm për Policinë e Kosovës”, kishte thënë ministri Sveçla, përcjell Gazeta Insajderi.
Ndërsa, sot Policia e Kosovës e ka konfirmuar se katër policët që kishin mbetur mes barrikadave në veri kanë lëvizur për në stacionin policor në Leposaviq.
Ata ishin të bllokuar që katër ditë mes dy barrikadave në fshatin Jashanicë të Leposaviqit.
Zyra për media e Policisë së Kosovës ka thënë “Njësiti policor në përbërje prej katër zyrtarëve policor të cilët ishin me detyrë zyrtare në atë zonë, të njëjtit veçse kanë lëvizur mbrëmë për në stacionin policor Leposaviq, ku edhe qëndrojnë”.
Këta policë raportohet se i kaluan këto ditë në kushte të vështira duke fjetur në autoblindë, me pak ushqim e pa derivate.