×
Analiza

“Nuk keni parë gjë akoma” – Hoti brenda një jave fut nën kontroll të LDK-së dy ndërmarrje publike

Insajderi
24 October 2020 - 17:56
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

“Nuk keni parë gjë akoma, sa u përket vendimeve të kthimit të ligjshmërisë”. Kështu kishte thënë kryeministri i vendit, Avdullah Hoti para tri ditësh në një konferencë për media, por veprimet e tij janë duke e dëshmuar të kundërtën.

Kjo pasi që kryeministri Hoti ka vendosur në krye të Ndërmarrjeve Publike njerëz të partisë nga vjen ai dhe kjo është në kundërshtim me ligjin, shkruan Gazeta Insajderi.

Brenda një jave, Hoti me vendimet e tij ka futur nën kontroll Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ndërmarrjen “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos”.

Më 19 tetor të këtij vitit, Qeveria Hoti e ka emëruar Brahim Selimajn, Sead Thaçin, Avni Kajdomqajn dhe Sanja Lazareviqin në bordin e Infrakos-it.

Selimaj ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur në vitin 2019. Në këto zgjedhje Selimaj kishte grumbulluar 5,565 vota në zgjedhjet e 6 tetorit.

Selimaj po ashtu ka qenë kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe prodhuesve të materialit ndërtimor nga viti 2014 deri në vitin 2018.

Ndërsa sot, Qeveria Hoti ka marr vendim që të shkarkohet edhe Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata Energjetike e Kosovës – KEK”.

Duke emëruar kështu Musa Misinin në pozitën e kryesuesit, Petrit Ibrajn, Drejtor, Fatim Grajçevci drejtore dhe Fadil Hoxhën drejtor, shkruan Insajderi.

Musa Misini, është ish-kryetari i Komunës së Vitisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kandidat po për këtë parti në zgjedhje nacionale për një ulëse në Kuvend.

Emërimi i Selimajt dhe Misinit në bordet e këtyre ndërmarrjeve është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë që të gjithë drejtorët duhet të jenë të pavarur.

“Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike./Insajderi.org

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark