
“Nuk është normale, jashtë çdo lloj logjike, fatura na ka ardhë gati trefishi i vitit të kaluar”, qytetarët e Prishtinës që nga nëntori i 2024-tës e kanë vërshuar me ankesa “Ndërmarrjen Termokos”. Janë ngritur kritika të shumta për faturat e fryra. E nga ana tjetër kjo e fundit ka dhënë tender për të matur “kënaqësinë” e konsumatorëve.
Gazeta Insajderi
Ngrohtorja e qytetit, Termokos Sh.A, para dy ditëve, me 8 prill ka nënshkruar kontratë për të “Hulumtuar kënaqshmërinë e konsumatorëve”. Vlera e këtij tenderi është 950 euro.
Kompania fituese e tenderit është “PIPOS SH.P.K”. Pipos është institut i njohur për realizimin e sondazheve.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, qytetarët e Prishtinës që janë përdorues të Termokosit janë përballur me ndërprerje të papritur të ngrohjes, duke i ekspozuar ata ndaj temperaturave të ulëta.
E më vonë pas ankesave, nga kjo ngrohtore kishin thënë për media se ka ndërprerje si shkak i turbinave, të cilat kanë ra prej KEK-ut”.
“Ngrohja është ndërprerë për shkak të turbinave, kanë ra prej KEK-ut. Ky problem prej të rregullohet deri nesër por ska asgjë zyrtare”, ishin deklaruar nga kjo ndërmarrje.
Një lexues i Insajderit, ka deklaruar për Insajderin se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga Termokosi për ndërprerje të ngrohjes.
Madje ai thotë se iu “edhe kur ka defekte e mos-furnizim me ngrohje iu faturohet shërbimi”.
“Që nga mbrëmë 08.04.2025 nuk kemi ngrohje nga Termokosi. I kemi kontaktua Termokosin dhe na është thëne se nuk ka furnizim me ngrohje per shkak se ka prishje në KeK. Ndërkohë Termokos nuk ka dalë zyrtarisht me asnjë njoftim për qytetaret/ klientat. Gjithashtu, neve na llogaritet paushall ngrohja ( me m2 të banesave) pra edhe kur ka defekte e mos-furnizim me ngrohje na faturohet shërbimi”, ka thënë ai për Insajderin.
Megjithatë, kjo nuk është e vetmja ankesë që qytetarët kanë ngritur ndaj ndërmarrjes Termokos.
Që nga nëntori i vitit të kaluar, përdoruesit e Termokosit kanë filluar të përballen me vështirësi, pasi faturat për ngrohje janë rritur ndjeshëm krahasuar me muajin paraprak.
Një qytetar ka treguar për Gazetën Insajderi, nën kushte anonimiteti, se fatura e muajit nëntor 2024 i kishte ardhur trefish më e lartë se zakonisht – mbi 100 euro – megjithëse për më shumë se dy javë nuk kishte pasur askënd në banesë dhe ngrohja nuk ishte përdorur fare.
Ai ka treguar se ka paraqitur ankesë në Termokos, dhe siç pretendon qytetari, janë bërë deri në 1,000 ankesa lidhur me çmimet e faturave.
Gazeta Insajderi ka hulumtuar rreth kësaj çështje, dhe ka parë se shumë qytetarë kanë ankesa të njëjta.
Një qytetar tjetër, ka shkruar se nga 51 euro, fatura i ka ardhë 70 euro, për vetëm 67m2 banesë.
“A i ka pranu najkush faturat e Termokosit për nentor? Cka jane këto rritje e faturave? Periudha e njëjte vitin e kaluar 51euro, tani dhe pse matja është duke u be me m2, vjen fatura 70 euro. Sipas Termokosit na paskan vendos një tarifë të re “Konsumi i përbashkët” PA ASNJE PARALAJMERIM. Une isha në Termokos dhe bëra një ankesë sa i përket kësaj çështje. Kjo nuk është normale 67m2 banese me pagu nxemje 70euro ne muaj është jashtë cdo lloj logjike”, ka shkruar një qytetar.
Komente të tilla kanë vërshuar në rrjetet sociale. Insajderi ju sjell prej tyre:
“Kryesisht faturat janë të fryra, Termokos nuk e qan kokën për këtë punë, sa duash bënë ankesa as qe ju kërset për këtë punë. E mira do ishte që me i padit sepse kostoja në shumicën e rasteve është deri 100% më e shtrenjtë!”.
“Tash mbet prape me kthy nxemjen me rrymë”.
“Neve na ka ardhë 89 euro edhe nxemjen se kemi perdorë gjatë ditës hic, vetëm mbas orës 22 e kemi dhezë edhe atë jo cdo ditë”.
“Hajni deri në fund edhe po doket që kerkush nuk është tu i kontrollu”.
“Mua po më vijnë faturat edhe pse e kam ndërpre kontratën para fillimit të sezonit 24/25. “AI”ndoshta!!”
“Për banesë 39 metra katror ka ardhë 207 euro për muajin nëntor”.
“Nuk po dijmë se çka është konsumi i përbashkët , radiator në hyrje nuk kemi, për banese 55.57 fat. ka ardh 87.00 gati trefishi i vitit kaluar… tmerr“.
“Faktura 100% e termokosit! Nuk e di edhe nëse ankohemi ata dolën ne media tha janë fakturat në rregull! .39m2 faktura 60.20€ muaji nëntor. Muaji tetor 23 euro”
“Paushall tjetër s’na ka mbet veç mu shkyq prej termokosit se katastrof shtrejt”
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Ndërmarrjen Termokos, se sa është numri i ankesave nga qytetarët, dhe a ka pas trajtim të ankesave, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Termokos bëri ndryshime rreth faturimit për rreth 7 mijë konsumatorë më 15 tetor të vitit të kaluar. Ku janë instaluar matës, për të përcaktuar nivelin e shfrytëzimit të ngrohjes, gjë që nuk ishte bërë më parë.
Çmimi për sasinë e shfrytëzimit të ngrohjes për sezonin 2024/2025 u përcaktua nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, me një vendim të datës 12 nëntor 2024. Sipas këtij vendimi, çmimi për ngrohjen me matje është vendosur në 76 centë për kilovat në muaj.
Sezoni i ngrohjes nga Termokos-i zakonisht fillon më 15 tetor dhe përfundon më 15 prill.