×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Nxitja dhe lidhja e Ballkanit Perëndimor në rrugën e BE-së

    Insajderi
    08 October 2020 - 11:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Olivér VÁRHELYI

    Këtë javë do të udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të prezantuar Planin e ri Ekonomik dhe të Investimeve si dhe vlerësimet vjetore, personalisht dhe drejtpërdrejt, partnerëve tanë. Shpresoj të marr mbështetje për zbatimin e Planit si dhe angazhim të qartë për reformat dhe bashkëpunimin. Ne do ta bëjmë këtë së bashku, duke synuar të krijojmë peizazh të ri ekonomik dhe social tashmë në pesë vitet e ardhshme

    Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi, Tirana. Gjashtë kryeqytete të Ballkanit Perëndimor, në zemër të Evropës, por udhëtimi dhe tregtia mes tyre dhe në kryeqytetet e tjera të Evropës zgjat dy herë më shumë sesa mes qyteteve shumë më të largëta. Megjithatë, të qenit i lidhur është thelbësor: për jetën e njerëzve, për bizneset dhe për ekonomitë e rajonit, madje edhe më shumë tani kur duhet të rimëkëmbemi pas pandemisë KOVID-19. Për më tepër, boshllëku i zhvillimit ekonomik midis rajonit dhe BE-së duhet të mbyllet më shpejt, gjë që do të përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve në BE.

    Këto janë arsyet kryesore pse Komisioni Evropian këtë javë vendosi në tryezë një Plan Ekonomik dhe Investimesh në shkallë të gjerë për Ballkanin Perëndimor. Ky Plan parashikon të mobilizojë, deri në 9 miliardë euro, financim për investime kyçe në fushat e transportit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, për të krijuar rritje afatgjatë dhe vende pune. Përveç kësaj, synon të rrisë kapacitetin investues të rajonit falë një Instrumenti të Ri Garancie për Ballkanin Perëndimor, me ambicien që të mblidhen investime deri në 20 miliardë €.

    Na duhet një Ballkan Perëndimor që është më mirë i lidhur, qoftë me rrugë ose hekurudhë, ndërmjet kryeqyteteve ose me Bashkimin Evropian, ose nëpërmjet internetit me shpejtësi të lartë me bandë të gjerë. Besoj fort se kjo do të ndihmojë krijimin e ekonomive të forta të tregut, duke stimuluar fuqimisht dhe drejtpërdrejt tregtinë dhe investimet. Ofrojmë bashkëpunimin tonë në krijimin e një ekonomie të bazuar në dije duke ndihmuar NVM-të, bizneset fillestare dhe industritë e kërkimit dhe zhvillimit. Këto ekonomi gjithashtu duhet të punojnë për njerëzit: mospërputhja midis furnizimit të aftësive dhe nevojave të tregut të punës, duhet të trajtohet edhe largimi i trurit që të kthehet në qarkullim të trurit, veçanërisht tek të rinjtë.

    Plani gjithashtu përfshinë një Agjendë të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Tranzicionet jeshile dhe digjitale janë përparësitë e BE-së për rimëkëmbjen e saj dhe ne duam të mbështesim rajonin, në përputhje me realitetet në terren, kjo trajton problemin e ndotjes dhe njëkohësisht krijon mundësi të qëndrueshme biznesi në të gjitha ekonomitë. Do të ketë një fokus të fortë në dekarbonizimin, energjinë e pastër, mjedisin më të pastër dhe transformimin digjital, duke përfshirë vendosjen e internetit ultra të shpejtë me bandë të gjerë.  Në fazën e shpejtë të heqjes dorë nga përdorimi i qymyrit, kalimi në përdorim të gazit është shumë i rëndësishëm, krahas burimeve të ripërtëritshme. Heqja dorë nga qymyri mund shpejt të zvogëlojë rreziqet e tanishme të shëndetit publik. Duam të sjellim gaz në Ballkanin Perëndimor për të krijuar shumëllojshmëri dhe për të ulur varësinë, ndërsa zgjidhjet afatgjata të klimës si hidrogjeni mund të ndërtohen mbi atë bazë.

    Institucionet Financiare Ndërkombëtare janë të gatshme të mbështesin Planin tonë ambicioz. Kjo mbështetje do të jetë thelbësore për të maksimizuar potencialin e madh të rajonit dhe për të siguruar përfitime më të mëdha për qytetarët dhe ekonomitë. Nëpërmjet Planit Ekonomik dhe të Investimeve, Komisioni gjithashtu synon të forcojë dimensionin rajonal të bashkëpunimit tonë. Integrimi ekonomik rajonal midis gjashtë partnerëve nuk është devijim në rrugën evropiane, por një mundësi e plotë ekonomike për të krijuar rritje, për të kapërcyer krizën ekonomike të lidhur me KOVID-in, për të modernizuar ekonomitë në përputhje me përparësitë e BE-së dhe për t’i sjellë ato më afër tregut të brendshëm të BE-së.

    Plani Ekonomik dhe i Investimeve shkon paralelisht me reformat. Reformat, në veçanti në sundimin e së drejtës, mbeten në thelb të procesit të zgjerimit dhe gjithashtu janë të nevojshme edhe për të mbështetur këtë Plan, pasi ato rrisin besimin e biznesit dhe krijojnë klimë më të mirë investimesh. Së bashku me Planin, Komisioni miratoi edhe Paketën e Zgjerimit 2020, duke vlerësuar reformat thelbësore në Ballkanin Perëndimor dhe duke paraqitur rekomandime dhe udhëzime për hapat e ardhshëm të partnerëve tanë. Zbatimi dinamik i tyre jo vetëm që do të jep rezultate afatgjata, por gjithashtu do të përshpejtojë përparimin në rrugën e BE-së.

    Ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Që nga dita e parë e mandatit të këtij Komisioni, një gjë ka qenë shumë e qartë: rajoni është një përparësi kryesore për ne. Ne jemi duke punuar vazhdimisht për të sjellë rajonin shumë më afër dhe më shpejt drejt BE-së, duke ndjekur tre objektiva: ringjalljen e procesit të zgjerimit, hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me BE-në. Për dy objektivat e parë, janë marrë hapa të rëndësishëm përpara, me një metodologji të rishikuar të zgjerimit dhe vendimin nga Shtetet Anëtare për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të cilat propozimi i rishikuar i metodologjisë hapi terrenin. Kjo ka treguar se BE-ja qëndron pranë partnerëve dhe përmbush premtimet.

    Ne gjithashtu qëndruam pranë rajonit gjatë shpërthimit të KOVID-19, duke siguruar mbështetje thelbësore dhe të pashembullt, duke përfshirë ndihmë urgjente mjekësore dhe paketë financiare prej 3.3 miliardë € për tu ballafaquar me pasojat e drejtpërdrejta të pandemisë. Plani i ri është shtylla e tretë e qasjes time. Ai jo vetëm që do të mbështesë rimëkëmbjen socio-ekonomike më afatgjate të rajonit dhe konvergjencën me BE-në, por gjithashtu do të rrisë bashkëpunimin dhe tregtinë ndër-rajonale dhe çlirimin e potencialit ekonomik të pashfrytëzuar të rajonit. E rëndësishmja është se do të konsolidojë rajonin si një qendër investimesh për kompanitë evropiane dhe do ta vendosë atë në hartën e investitorëve që kërkojnë të zvogëlojnë distancën në tregjet e BE-së dhe të diversifikojnë furnizimin.

    Këtë javë do të udhëtoj në Ballkanin Perëndimor për të prezantuar Planin e ri Ekonomik dhe të Investimeve si dhe vlerësimet vjetore, personalisht dhe drejtpërdrejt, partnerëve tanë. Shpresoj të marr mbështetje për zbatimin e Planit si dhe angazhim të qartë për reformat dhe bashkëpunimin. Ne do ta bëjmë këtë së bashku, duke synuar të krijojmë peizazh të ri ekonomik dhe social tashmë në pesë vitet e ardhshme.

    *Autori është Komisionar për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark