Edhe pse dilte për një konferencë shtypi nga Shtëpia e Bardhë në krah të kryeministrit italian, Matteo Renzi, presidenti amerikan Barack Obama nuk ka lënë jashtë vëmendjes fushatën zgjedhore presidenciale në SHBA, duke kritikuar sërish kandidatin republikan Donald Trump.
Obama i është drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë manjatit të pasurive të paluajtshme, duke i thënë të “ndalë ankesat” e pabazuara, pas pretendimeve të tij se zgjedhjet e muajit të ardhshëm do të manipulohen.
Përpjekja e Trumpit për të diskredituar zgjedhjet përpara se të zhvillohen ato është “e paprecedentë” për një kandidat për Shtëpinë e Bardhë. Të paprecedentë, presidenti Obama ka quajtur edhe “lajkat” e kandidatit republikan për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Trump është përballur javët e fundit me rënie drastike nëpër sondazhe, për shkak të akuzave me sfond seksual pas komenteve vulgare të bëra ndaj grave, të denoncuara përmes një videoje fillimisht, e më pas përmes deklaratave publike të disa grave.
Biznesmeni i kthyer në politikan ka pretenduar në mënyrë të vazhduar se zgjedhjet e 8 nëntorit do të manipulohen në favor të kandidates demokrate Hillary Clinton, edhe pse krahu i djathtë i tij, kandidati për zv.president Mike Pence e ka mohuar diçka të tillë dhe ka garantuar se do të njohin verdiktin e popullit amerikan, cilido qoftë ai, shkruan tch.
Obama u përpoq të adresonte edhe fjalimet admiruese të kandidatit republikan ndaj Vladimir Putinit. “Lajkat e vazhdueshme të Trumpit për Putinin dhe shkalla mbi të cilën ai po bazon modelin e politikave të tij janë të paprecedenta”, deklaroi presidenti amerikan. Ky reagim i tij ka ardhur një ditë pasi Trumpi deklaroi se do të merrte në konsideratë një vizitë në Rusi përpara se të marrë detyrën e presidentit, gjithnjë nëse zgjidhet.