Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të “ndërmarrin aksion” kundër Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale.
Mëtutje, në intervistën për Radion Publike Kombëtare, të publikuar mbrëmë vonë, zoti Obama tha se kishte folur “direkt” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për këtë çështje.
“Mendoj se nuk ka dyshim se kur një qeveri e jashtme përpiqet të ndikoj në integritetin e zgjedhjeve tona…ne duhet të ndërmarrim aksion dhe do ta bëjmë këtë”, tha Obama.
Këto komente u bënë derisa Shtëpia e Bardhë i ka shtuar sugjerimet se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, personalisht i ka urdhëruar sulmet kibernetike dhe rrjedhjen e emailave të demokratëve në përpjekje për ta ndihmuar Donald Trumpin, që të triumfoj ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton.
Më herët, zëvendëskëshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, i tha rrjetit MSNBC se “nuk mendoj se gjërat në qeverinë ruse të kësaj rëndësie ndodhin pa dijen e Vladimir Putinit…kur ju bisedoni për ndërhyrje kibernetike sikur kjo, ne flasim për nivelet më të larta të qeverisjes”.
Vladimir Putin e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi.