×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Objekti milionësh në Prizren – I akuzuari për mashtrim dyshohet se bëri pazare kundërligjshëm

    Insajderi
    23 August 2023 - 16:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ndonëse është në kontekst pronësor, një objekt afarist që ka vlerë mbi 2 milionë e 36 mijë euro, pretendohet se po bëhet pazar kundërligjshëm me të. Ani pse rasti është në një proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit në Prizren ka dyshime se objekti është shitur për shumën prej 1 milion e 200 mijë euro duke shkelur urdhër ndalesën për shitje nga Gjykata Themelore e Prizrenit dhe vendimin e Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në KK Prizren. Gazeta Insajderi sjell detajet nga tri palët e përfshira si dhe vendimet e organeve kompetente.

    Një objekt me sipërfaqe 2600 m2 që ndodhet në lagjen “Arbana” në Prizren po vazhdon të jetë në kontekst pronësor. Po bëhen 6 vite që kur kanë filluar problemet e para mes dy personave që po pretendojnë se toka dhe objekti është i tyre. Bëhet fjalë për të dëmtuarin Mehmet Morinën dhe të akuzuarin Rifat Kalimashin.

    Edhe pse ky rast është ende duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit dhe ndaj tij është lëshuar një urdhër ndalimi për shitje, Mehmet Morina po pretendon se Rifat Kalimashi ka bërë pazare me objektin duke ia shitur një personi të tretë.

    Gjykata Themelore e Prizrenit kishte lëshuar një Urdhër për Ndalim Afatgjatë në vitin 2020 përmes së cilit ndahet  shitja dhe bartja e të drejtës së pronësisë.

    Sipas këtij vendimi që posedon Gazeta, ky ndalim nuk skadon deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor dhe pushimit të hetimeve.

    Aktualisht, rasti është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit pasi që gjykata e shkallës së parë kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj të akuzuarit Rifat Kalimashi dhe Bekim Hysenit të cilët ishin të akuzuar për shkak të veprës penale Mashtrim ndaj të dëmtuarit Mehmet Morinës.

    Përmes vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit i cili ua ndalon palëve të bëjnë pazare me këtë objekt, Mehmet Morina po pretendon se i akuzuar për mashtrim Rifat Kalimashi ia ka shitur pronën biznesmenit nga Suhareka Burim Bytyqit.

    Gazeta Insajderi pas një hulumtimi për rastin – ka rënë në kontakt me palën e tretë, familjen Bytyqi nga Suhareka të cilët kanë pranuar se kanë bërë pazar me Rifat Kalimashin për blerjen e objektit dhe parcelës.

    Gazeta ka kontaktuar Zeqir Bytyqin ( baba i Burim Bytyqit) i cili është blerësi i objektit. Përmes një bisede telefonike Bytyqi ka pranuar se ka bërë Pazar me Rifat Kalimashin dhe sipas tij i është thënë se prona është e pastër me ligjin dhe është në pronësi të tij.

    Po na e kemi ble prej Rifatit. Ai me dëshmi e letra ja ka dhënë djalit. Ai dhe ata shokët e tij që e kanë rregullu punën krejt. Vetë Rifati na ka bo përhajr objektin”, ka thënë Zeqir Bytyqi.

    Biseda mes Zeqir Bytyqit dhe gazetarës

    Ndryshe nga blerësi, i akuzuari për mashtrim Rifat Kalimashi nuk ka pranuar për Gazetën të ketë shitur pronën ani pse publikisht e kishte shpallur në shitje disa herë në rrjetë sociale.

    Kalimashi ka thënë për Gazetën Insajderi se objektin nuk e ka shitur. Ai përmend edhe urdhrin e Gjykatës që ia ndalon shitjen

    Jo nuk është shitur objekti. Nuk është shit përderisa sa ka urdhër mos me shit”, tha ai për Insajderin.

    I pyetur se a ka bërë Pazar me Burim Bytyqin, Kalimashi thotë se kanë biseduar por nuk ka bërë pazare.

    Me Burim Bytyqin kemi bisedu por jo me shit. Nuk e kemi shit. Nuk guxojmë më shit deri te kthejnë diçka prej Gjykatës së Apelit, që 6 vite jemi në kontekst me Mehmet Morinën”, ka thënë tutje ai.

    Biseda mes Rifat Kalimashit dhe gazetares

    Lidhur me pretendimet e familjes Morina, ka folur avokati mbrojtës Sylë Hoxha. Hoxha ka thënë se ka dërguar ankesë në Gjykatën e Apelit në Prizren dhe në Prishtinë për të njoftuar me pretendimet e palës së dëmtuar, Mehmet Morinës se objekti i cili ka qenë në shqyrtim të kësaj çështje penale është bërë pazar dhe ndaj të njëjtit objekt janë marrë edhe kapare.

    Në njoftim, të cilin e ka siguruar Gazeta përmes familjes Morina shpjegohet se si “shitësi Rifat Kalimashi nga fshati Landrovicë komuna e Prizrenit e ka shitur objektin afarist tek Burim Bytyqi nga Suhareka”.

    Po ashtu në njoftim është theksuar se objekti ka ndalesë për shitje-tjetërsim në Drejtorin për Gjeodezi dhe Kadastër në KK Prizren.

    Pronari i këtij objekti që nga viti 2000 ka qenë Mehmet Morina mirëpo pas një përballje me Rifat Kalimashin ndaj të cilit ka pasur aktakuzë për mashtrim dhe fajde, prona është bllokuar dhe nuk mund të shitet as të ipet me qera.

    /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark