OBSH e vendos zyrën e saj në Prishtinë nën përkujdesjen e zyrës së Beogradit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    OBSH e vendos zyrën e saj në Prishtinë nën përkujdesjen e zyrës së Beogradit

    Insajderi
    11 April 2017 - 09:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një zyre në Kosovë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është vendosur nën ‘përgjegjësinë’ e Zyrës në Serbi, duke ndryshuar, siç thonë zyrtarët e saj në Prishtinë, një praktikë të ndjekur për vite me radhë të funksionimit të saj të shkëputur nga ‘përgjegjësia’ e Beogradit.

    Ndryshimet në statusin e Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, thonë zyrtarë të saj, erdhën në kohën e pritjes së emërimit të një zyrtari udhëheqës të zyrës, pas largimit të drejtuesit të deritashëm.

    Por, drejtues të OBSH-së thonë që sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk është pranuar si një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe siç thuhet “Rezoluta obligon ligjërisht të gjitha entitetet e sistemit të OKB-së”.

    Menaxherja ekzekutive për Marrëdhënie të Brendshme dhe Komunikime të Korporatës, zyra rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Licari Lucianne, thotë se Zyra në Prishtinë “është e regjistruar si një zyre në terren që është e përkushtuar, siç tha, ‘të punojë në bazë të kërkesave nga një territor i caktuar’.

    “OBSH ka shumë zyra terreni globalisht dhe vetëm në OBSH-Rajoni Evropian janë katër të tjera, përfshirë një në Gazantiep dhe gjithashtu një në Banja Llukë. Të gjitha zyrat e terrenit konsiderohen si nën-zyra të një zyre vendore (shtetërore) të OBSH-së. Gazantiepi është nën-zyre e Zyrës vendore (shtetërore) të OBSH-së në Turqi, Banja Lluka një nën-zyre e Zyrës Vendore (shtetërore) të OBSH-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe ndërkohë Prishtina është një nën-zyre e Zyrës Vendore (shtetërore) të OBSH në Serbi’’, ka thënë Licari Lucianne.

    OBSH-ja tha se zyra e terrenit në Prishtinë u hap më 1998 për të siguruar ofrimin e ndihmës humanitare nga Zyra rajonale për Evropën e OBSH-së si dhe ajo gjatë viteve në vijim tregoi të ishte një zyre e rëndësishme ndërlidhëse përmes së cilës OBSH-ja do të kanalizonte ndihmën e saj teknike për autoritetet e shëndetësisë në Kosovë.

    Vendimi për ta trajtuar zyrën e OBSH-së në Kosovë si nën-zyre të Zyrës në Serbi, është vlerësuar nga punonjësit e saj në Prishtinë, të jetë në kundërshtim me praktikat e deritashme të deklarimit të OBSH-së për neutralitetin ndaj statusit të Kosovës.

    Sami Uka, zyrtar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se nëse ndodhë që t’i raportohet Serbisë lidhur me punën e zyrës së OBSH-së në Kosovë kjo bie në kundërshtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

    “Ne e konsiderojmë si një regres apo kthim prapa në statusin e zyrës së OBSH-së. E konsiderojmë, thjeshtë, të papranueshme, pasi është në kundërshtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit por edhe me deklarimin e OBSH-së për neutralitetin e saj ndaj statusit të Kosovës. Ne shpresojmë që ky është një gabim i cili mund të korrigjohet dhe po shpresojmë që do të kemi angazhimin e institucioneve vendore për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OBSH, por edhe për zgjerimin e bashkëpunimit me këtë organizatë”, ka thënë Uka.

    Me largimin e udhëheqësit të OBSH-së në Prishtinë, konkursi i ri për një drejtues të ri të saj, thotë Sami Uka, ka ndryshuar edhe statusin e deritashëm të kësaj zyreje.

    “Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, jo vetëm që nuk ka lëvizje pozitive, por ka edhe kthim prapa në bazë të konkursit që është publikuar në ëeb faqen e OBSH së, lidhur me angazhimin e një zyrtari ndërlidhës në zyrën e OBSH-së në Prishtinë. Ai tash e tutje, sipas konkursit, do t’i raportojë zyrës së OBSH-së në Beograd”, thotë Uka.

    Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meqë nuk është as edhe anëtare e OKB-së, pavarësisht se mbi gjysma e vendeve anëtare të saj e kanë pranuar pavarësinë.

    Procesi i anëtarësimit të saj në organizatën botërore megjithatë ka ngecur për shkak të kundërshtimeve në mesin e një pjesë të anëtarëve të OKB-së.

    Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, më herët patë thënë se institucionet e Kosovës po punojnë për anëtarësimin e vendit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, por nuk ka dhënë ndonjë hollësi se kur mund të ndodh një përpjekje për aplikim. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark