Oda e Inxhinierëve të Kosovës ka reaguar për shembjen e dheut në rrugën “Shën Shtjefën Kurti” në Prishtinë.
Në reagimin e tyre thuhet se kjo ka ndodhur si shkak i mos-zbatimit të Ligjit për Odat e Arkitektëve, i cili parasheh se profesionet në fushën e ndërtimit duhet të ushtrohen nga inxhinierë të licencuar, brenda kompetencave të përcaktuara sipas kategorive të licencës.
Sipas tyre, në praktikë po lejohen edhe devijime të standardeve dhe kompetencave ligjore.
“Shembjet e dheut në gropat ndërtimore janë pasojë direkte e këtij realiteti. Në raste të tilla, përveç rrezikut për jetën e njerëzve, kemi edhe dëmtim të pronës dhe pasoja të mëdha ekonomike, të cilat mund dhe duhet të parandalohen përmes zbatimit të ligjit”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata kanë kërkuar që secili projekt të realizohet nga profesionistë të licencuar, si dhe të forcojnë mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit. /Insajderi.org/