Të burgosurit në burgun e Mitrovicës së Veriut filluan një grevë urie për shkak të frikës se edhe ata mund të transferohen në një burg nga ana e jugut të lumit Ibër.
Ata kanë pretenduar se një gjë e tillë do të rrezikonte të drejtat dhe sigurinë e tyre njerëzore, njofton mediumi serb Novosti, raporton Insajderi.
Në mesin e të burgosurve që janë në grevë urie është edhe udhëheqësi i Iniciativës qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, i cili është duke pritur vendimin e Gjykatës së Apelit pasi apeloi vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të Veriut.
Ai është dënuar me nëntë vjet burg, nën akuzën për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Siç ka raportuar sot Insajderi, vendimi për transferimin e katër të burgosurve të nacionalitetit serb nga burgu i Mitrovicës së Veriut në Podujevë, është marrë nga autoritetet kosovare përmes një marrëveshje që ka pasur me EULEX-in.
Këtë veprim të autoriteteve kosovare e ka dënuar edhe zyra serbe për Kosovë dhe Metohi në qeverinë serbe. /Insajderi.com