Akuza e kryeministrit Isa Mustafa në drejtim të opozitës se këto të fundit janë fajtore pse Kosovës nuk iu hoqën vizat këtë fundvit, njejtë si Ukrainës dhe Gjeorgjisë, vlerësohet si e pabazë.
Donika Kadaj-Bujupi, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje”, njëherësh anëtare e Komisionit për Integrime, ka vlerëusuar se qeveria e ka fajin kryesor për mosliberalizim të vizave.
“Natyrisht se përgjegjësia për mosliberalimin e vizave i takon krejtësisht Qeverisë. Kriteri më i rëndësishëm për liberalizimin e vizave është luftimi i korrupsionit. Kjo kërkesë është injoruar vazhdimisht nga Qeveria”, ka deklaruar ajo.
E luftimi i korrupsionit sipas saj, do të arrihej vetëm nëse kryeministri bashkë me kolegët e tjerë të tij, të dorëzoheshin në organet e drejtësisë.
“Në fakt nënkupton luftimin në majat e zhvillimit të këtij fenomeni. Luftimi i korrupsionit do të thotë që Isa Mustafa t’ia nisë prej vetes dhe t’i dorëzojë edhe kolegët e tij të koalicionit ‘Pronto’ tek organet e drejtësisë. Por, një kryeministër me 70 dosje të korrupsionit, sigurisht që nuk merret me këtë çështje”, ka theksuar deputetja e LVV-së.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se kryeministri Mustafa duhet ta përgëzojë opozitën për veprimet që ka bërë në të mirë të Kosovës.
“Isa Mustafa duhet ta përgëzojë opozitën që ka qenë, është e do të jetë gardiane e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, derisa të ketë kanosje nga kryeministra të papërgjegjshëm si puna e Isa Mustafës,” ka thënë ai.
Ndërkaq, ka thënë se vizat do të hiqen vetëm atëherë kur do të ndryshohet mentaliteti i qeverisë aktuale, njofton Zëri.
Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se fajtori për mosliberalizim të vizave duhet të gjendet brenda qeverisë së Kosovës.
“Për mosrealizimin e premtimeve që i kanë prezantuar edhe gjatë fushatës e madje edhe gjatë gjithë kësaj kohe nga z. Mustafa, ashtu edhe nga partneri i tij për liberalizimin evizave, si çdo herë këta duan ta gjejnë fajtorin”, ka deklaruar ajo.
Ajo tutje, e ka cilësuar si të ulët mospërmbushjen e detyrave të qeverisë.