Pas bisedës telefonike që zhvilloj Presidenti, Hashim Thaçi, me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pas reagime si nga pozita ashtu edhe nga opozita.
Sekretari i Nismës për Kosovë, Bilall Sherifi, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, ku mendon se një veprim i tillë i Thaçit mund të konsiderohet edhe si “puç presidencial”.
“Mos rastësisht Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanë bërë rokadë të funksioneve veçse ende nuk e kanë informua publikun apo bëhet fjalë për një “PUÇ presidencial?”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Gjithashtu ai ka shtuar se “nga kjo informatë nuk kuptuam se a janë marrë vesh për t’i dhënë fund “luftës” apo janë marrë vesh veç për një armëpushim të përkohshëm”, raporton Insajderi.
Ky veprim i presidentit Thaçi nuk i ka pëlqyer aspak edhe këshilltarit të kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, i cili ka deklaruar se Thaçi mund të bisedojë me këdo por kryeministri nuk ka çka të bisedojë më shumë me palën serbe, pasi me Serbinë bisedojnë veç në Bruksel.
Presidenti Hashim Thaçi, sot përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me të cilën kanë biseduar për normalizimin e raporteve mes dy shteteve. /Insajderi.com