Donika Kadaj-Bujupi ka deklaruar se pas bojkotimit të Kuvendit opozita do të organizohet në terren, siç ka thënë ajo, për t’i dhënë fund këtij regjimi.
Sipas saj, protesta e 26 marsit do të jetë më e madhe që është organizuar ndonjëherë në Prishtinë, përderisa kundërshtimi opozitar do të vazhdojë deri në rënien e Qeverisë
Shefja e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se trajtimi fyes, i padrejtë dhe ç’njerëzor ndaj deputetëve të opozitës, të cilët kishin kurajën të viheshin në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, janë disa nga arsyet pse konsiderojnë se legjislativi e ka humbur legjitimitetin dhe se opozita nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e tij.
Në një intërvistë për gazetën Zëri, ajo ka thënë se, më 26 mars 2016 do të organizohet protesta më e madhe nga opozita në Prishtinë.
“Protestë paqësore, ku qytetarët do të kundërshtojnë regjimin. Kundërshtimi do të vazhdojë deri në rënie sepse Kosova është vend demokratik, është Evropë dhe ngufatja e tillë nuk mund të zgjasë”, ka thënë ajo.