10:41 - 20 Dhjetor 2021

Arbër Ahmeti

Në një shkrim të fundit të z. David Phillips dhe z. Lulzim Peci u fol mbi urgjencën me të cilën duhet të trajtohet Ballkani si pasojë e influencës Ruse dhe aspiratave të saj për ta kthyer në një zonë konflikti, që do të rrezikonte paqen dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare.

Qëllimi në vetvete fisnik i autorëve duket të jetë kthimi i vëmendjes nga Kosova dhe ngjarjet në Ballkan, e kësisoj duke krijuar mundësi për të informuar dhe influencuar politik-bërësit që merren me Ballkanin. Sipas autorëve kriza eventuale Ballkanike dhe konflikti në Ukrainë janë të ndërlidhura dhe e para është në funksion të së dytës.

Krijimi i një situate të vështirë në Ballkan do të tërhiqte vëmendjen, resurset ushtarake e diplomatike të perëndimit nga konflikti në Ukrainë duke i mundësuar Rusisë të ketë dorë më të lirë për të arritur objektivat e saj në shtetet fqinje.

Kjo gjë do të ndodhte duke përdorur apo nxitur aktorët e brendshëm në Ballkan dhe duke sfiduar rregullimin post-Jugosllav të Ballkanit në favor të interesave serbe dhe ruse. Por, cilat janë opsionet e Republikës së Kosovës ne krizën ballkanike dhe çfarë duhet të bëhet për të minimizuar pasojat e politikës agresive serbe dhe ruse?

Së pari një konflikt i hapur mes Serbisë dhe Kosovës në rrethanat aktuale nuk është i mundur. Kjo është kryekëput për shkak të prezencës së KFOR ‘it dhe forcave Amerikane në Kosovë. Sipas një studimi, vetëm prezenca e trupave amerikane në një shtet, zvogëlon mundësinë e konfliktit ndërshtetëror dhe vepron si deterrent kundrejt kundërshtarëve.

Kësisoj si Serbia dhe Rusia kanë më pak mjete që mund ti përdorin në Kosovë krahasuar me vendet tjera si Mali i Zi dhe BeH’ja. Mundësitë për të destabilizuar Kosovën përmes aktorëve jo-shtetërorë janë më të vogla se në Bosnjë rregullimi juridik i së cilës i mundëson serbëve të krijojnë kontroll përmbi politik-bërjen ku edhe janë entitet më i madh se në Kosovë.

Megjithatë veprime destabilizuese në veri të Kosovës janë të mundshme por dalja nga kontrolli drejt konfliktit e veprimeve radikale është parandaluar si pasojë e prezencës ushtarake ndërkombëtare në vend. Po të mungonte kjo prezencë, një veri i ndarë dhe një Kosovë e brishtë dhe e kërcënueshme nga ndërhyrja Serbe do të ishin realiteti ynë. Por kjo prezencë nuk e bënë Kosovën imune nga veprimet e Serbisë.

Kosova duhet të ri-konfirmojë agjendën e saj euro-atlantike dhe të dëshmojë që është bashkëpunuese, e hapur ndaj dialogut dhe partnere e besueshme. Një mundësi për të dëshmuar që Kosova është një partner i besueshëm dhe që kryen detyrat e saj dhe merr përsipër obligimet ka qenë edhe implementimi i kushteve që dalin nga marrëveshja e Washington-it.

Një tjetër aspekt ku Kosova do të forconte lidhjet dhe ri-konfirmonte orientimin e saj ka qenë pranimi i projektit të gazit, që me gjasë do ti sillte Kosovës jo vetëm afrimin e njohjes greke, por edhe avancimin e interesave amerikane për të rrjetëzuar vendet e rajonit me gaz që nuk kontrollohet apo buron në Federatën Ruse. Përveç tërheqjes së investimeve për infrastrukturën që do duhet të vihej në vend, kjo do të dëshmonte edhe gatishmërinë e Kosovës për të shtyrë para projekte që aleatët i konsiderojnë strategjike.

Duke zgjedhur shtyrjen para të projekteve që për qëllim primar kanë dobësimin e kundërshtarëve të Kosovës dhe të aleatëve tanë në Ballkan, ne do të ishim duke luajtur një rol aktiv në parandalimin e konflikteve dhe minimizimin e kërcënimeve kundrejt rendit dhe sigurisë.

Përveç pjesëmarrjes ushtarake kjo do të ishte një mënyrë për të filluar kalimin gradual nga konsumues të sigurisë në kontribuues. Shpesh leverdia tek investimet strategjike nuk qëndron tek parametrat ekonomikë, por tek arritja e objektivave të tjera strategjike, siç edhe arritja e objektivave në fushën e sigurisë jo gjithmonë bëhet përmes veprimeve policore a ushtarake.

Një tjetër aspekt ku Republika e Kosovës duhet të marrë urgjentisht veprime është rivënja në funksion e shërbimit të jashtëm dhe re-vitalizimi i korpusit diplomatik të Kosovës. Mungesa e Kosovës në nisma rajonale e ndërkombëtare dhe nisma të tjera ku mund të kushtëzojë e të imponojë zgjidhje në favorin e vet, e zhvleftëson qëllimin strategjik të Kosovës për të forcuar subjektivitetin e saj juridik përmes pjesëmarrjes dhe prezencës sa më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Për tu kthyer në fillim, autorët trajtojnë një rast hipotetik përmes së cilit do mund të aktivizohej struktura e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive të NATO’s. Sipas autorëve një shpërthim i dhunës në Kosovë do të mund të çonte në involvimin e Shqipërisë, dhe do të përfshinte trupat e NATO’s që janë në Kosovë duke sjellë te aktivizimi i Nenit V të Traktatit të Atlantikut Verior (Traktatit të Washington-it).

Mundësitë që premtimi i mbrojtjes kolektive të aktivizohet si pasojë e shpërthimit të dhunës në Kosovë janë krejt minimale për të mos thënë të pamundura. Premtimi i mbrojtjes kolektive në Traktatin e Washington-it e ka bazën ligjore në Nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe në të drejtën zakonore ndërkombëtare.

Që kjo e drejtë të aktivizohet duhet të ketë një veprim të kualifikuar të forcës, pra jo çfarëdo përdorimi të forcës, por forcë që arrin pragun e sulmit të armatosur (ang. armed attack; fr. aggression armee; gjer. angriff. Kjo shprehje përdoret vetëm në Nenin 51 për ta diferencuar nga shprehjet tjera në Kartë si përdorim i forcës -use of force – në nenin 2(4) apo akt agresioni në Nenin 39).

Ky veprim duhet të bëhet nga një shtet kundër një shteti tjetër, apo do të duhet ti atribuohet një shteti që do të mbahet përgjegjës. Vetëm kur të arrihet kushti i sulmit të rëndë që origjinën e ka nga jashtë që do mund ti atribuohej një shteti do të mund të ndërmerreshin veprime luftarake kundrejt shtetit agresor pa shkelur normat e të drejtës ndërkombëtare.

Shtetet i kanë justifikuar veprimet e tyre ushtarake kundër akterëve jo-shtetëror përmes së drejtës së vetë-mbrojtjes, sidoqoftë divergjencat doktrinale janë të mëdha e justifikimet e tilla mbesin kontroversiale për aq sa e drejta ndërkombëtare është në pyetje.

Rrjedhimisht, Shqipëria nuk do të mund të kërkonte aktivizimin e Nenit V sepse një sulm i mundshëm nuk drejtohet kundër territorit të saj. Shtetet e trupave të NATO’s në Kosovë juridikisht nuk do ta bënin një gjë të tillë sepse sulmi që do të ishte i drejtuar kundër trupave të tyre nuk ka origjinë nga jashtë territorit të Kosovës apo nuk mund t’i atribuohet një shteti.

E gjithë infrastruktura ligjore për përdorim të forcës ekziston për trupat e NATO’s në Kosovë, si autorizimet përbrenda mandatit që kanë për të ruajtur paqen dhe sigurinë po ashtu edhe në kuadër të së drejtës humanitare që njeh të drejtën e vetëmbrojtjes së njësive ushtarake në rast se gjenden nën sulm.

Është e vështirë të mendohet që në Kosovë dhe në kontekstin e konfliktit aktual Kosovë-Serbi ekzistojnë hapësira që mund të prodhojnë situata që qojnë vendet anëtare të NATO’s të aktivizojnë Nenin V të Traktatit të Washington-it në kundërpërgjigje të sulmit të armatosur ndaj trupave që qëndrojnë në territorin e huaj.

Por Neni V i NATO’s do të mund të shërbente për garantimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan përmes një mënyre tjetër. Një nga dilemat më të mëdha të pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë gjetja e një formule të pjesëmarrjes së Gjermanisë perëndimore në strukturat e sigurisë së Perëndimit.

Propozimet ishin të ndara prej propozimit radikal të formimit të një ushtrie europiane dhe braktisjen e ushtrive nacionale përmes krijimit të Komunitetit Europian të Mbrojtjes (shih Plani i Pleven’it) e deri te krijimi i ushtrisë dhe armatosja e Gjermanisë që të kontribuonte në sistemin perëndimor në funksion doktrinës së frenimit të zgjerimit Sovjetik (Doktrina e Trumanit). Gjatë negociatave për krijimin e Komunitetit NATO përmes Protokolleve që nënshkroi me Komunitetin e zgjeroi fushëveprimin e Nenit V drejt të gjitha shteteve anëtare të Komunitetit.

Edhe Gjermania që nuk ishte anëtare e NATO’s, dhe cilido anëtar tjetër i Komunitetit do të përfitonte nga premtimi i mbrojtjes kolektive të Nenit V në rast se do ishte objekt i një sulmi të armatosur. Marrëveshje të tilla që krijonin garanci të asistencës ushtarake në rast sulmi me Komunitetin nënshkruan edhe SHBA’të dhe Mbretëria e Bashkuar, obligimet e mbrojtjes kolektive të të cilave po ashtu i gëzonte Gjermania.

Ky shembull do të mund të përdorej edhe në Ballkan, së paku të kërkohet që të zgjerohet aplikimi i Nenit V edhe mbi territorin e Kosovës. Kjo do t’i ofronte Kosovës sigurinë e nevojshme dhe do të mund të qonte mesazh drejt kundërshtarëve të projekteve dhe prezencës së NATO’s në Ballkan.

Përmes këtij shembulli do të evitohej disfavori që ka Kosova në kuptimin e anëtarësimit në NATO duke përfituar nga aleanca gjatë kohës që tranziton drejt anëtarësisë dhe duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale. Me vendet anëtare që se njohin Kosovën do duhej të gjendej një kompromis përmes ndonjë formule të ngjashme që është përdorur për MSA’në.

Duke qenë se të gjithë mekanizmat ligjor për prezencën e NATO’s në vend janë ekzistent dhe me implikimet politike që do kishte kjo çështje krahasuar natyrës krejt simbolike në raport me sigurinë në rajon, për momentin si opsion nuk duket i mundshëm por mund të jetë i realizueshëm në të ardhmen në rast se kriza Ballkanike thellohet.

Kjo mund të jetë edhe kërkesë e Republikës së Kosovës drejtuar partnerëve në rast se kriza thellohet dhe i mohohet pjesëmarrja në mekanizmat e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive si pasojë e mos-njohjeve deri në gjetjen e një kompromisi me vendet mos-njohëse për anëtarësinë.

Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore në fushën e të drejtës ndërkombëtare, jurisprudencës dhe sigurisë. Ai ka qenë hulumtues i ftuar në Akademinë Kombëtare të Mbrojtjes në Austri dhe kontribuues në platforma të ndryshme publicistike e akademike.