Orari i njëjtë i ndeshjeve të Kosovës e Shqipërisë ndanë tifozët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Sport
  • Lajme

    Orari i njëjtë i ndeshjeve të Kosovës e Shqipërisë ndanë tifozët

    Insajderi
    03 June 2016 - 18:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në shtator të vitit 2004, në stadiumin Qemal Stafa në Tiranë, ekipi kampion i Evropës, Greqia, u dorëzua para kombëtares shqiptare.

    Golat e Adrian Aliaj dhe Edvin Muratit patën krijuar një entuziazëm të paparë në Shqipëri e Kosovë ndërsa shpresat që Shqipëria do të arrijë të kualifikohet në ndonjë kampionat evropian apo botëror ishin rritur dukshëm me faktin që Shqipëria ia doli të mposht një kampion Evrope.

    Por, megjithëse kishin krijuar një ekip me lojtarë që luanin edhe në Evropë, Shqipëria dështoi të bënte një gjë të tillë deri vitin e kaluar, kur siguroi pjesëmarrjen në kampionatin Evropian të Francës, që fillon fundjavën tjetër.

    Dhe, përgjatë tërë këtyre viteve, tifozë nga Kosova nuk kanë munguar në thuajse në asnjë ndeshje të kombëtares së Shqipërisë, derisa Kosova përballej me izolim politik dhe sportiv.

    Por, 12 vite më vonë, Kosova tashmë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, do të luaj ndeshjen e saj të radhës miqësore.  Për rastësi, ndeshja e Kosovës kundër Ishujve Faroe fillon vetëm 30 minuta para ndeshjes tjetër miqësorë të rëndësishme për shqiptarët. Shqipëria luan kundër Ukrainës, në miqësoren e fundit para fillimit të evropianit.

    Orari i ndeshjeve ka ngritur dilemë tek tifozët e futbollit në Kosovë.  Insajderi ka biseduar me një numër qytetarësh të cilët janë parë të pavendosur se cilën ndeshje do të shikojnë.  Një numër i tyre kanë thënë se do të preferonin që ndeshjet të mos zhvilloheshin në të njëjtën kohë, nga dëshira që të shohin që të dyja.

    “Unë nuk mund t’i ndajë këto dy ekipe. Të dyja i përkrahi dhe nuk mund të bëjë dallime asesi,” ka thënë Nazim Ademi.

    “Cila do të më dilte e parë në ekran do ta shikoja. Preferencat e mija janë për të dyja ekipet,” thotë Niazi Gashi.

    Por, një pjesë e njerëzve që Insajderi ka biseduar të premten, thonë se tashmë që Kosova është anëtare e UEFA-s, ata do të vazhdojnë të bëjnë tifo për Kosovën.

    ALB 222222222222222

    Kushtrim Kryeziu, student, thotë se nuk ka humbur ndeshjet e Shqipërisë në të kaluarën, porse tashmë preferenca e tij ka ndryshuar.

    “Më përpara do të shikoja ndeshjen e Kosovës. Tash ai është ekipi ynë,” ka thënë ai.  Edhe Bujar Berisha nga Prishtina thotë se do të shikojë Kosovën.

    Anëtarësimi i Kosovës në UEFA ka ngjallur edhe dilemën se ku do të luajnë tani e tutje futbollistët nga Kosova.  Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Altin Lala, në një intervistë për gazetën sportive nga Shqipëria, Panorama Sport, ka thënë se të dyja palët duhet që të hartojnë strategji që do të parandalonte një “luftë vetëshkatërruese” të ekipeve në të dyja anët e kufirit.

    Por, megjithëse Shqipëria ka filluar të humbasë disa prej tifozëve në Kosovë, entuziazmi mbetet i lartë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Euro 2016.

    Kjo konfirmohet edhe nga Elvis Skeraj, shitës i fanellave në një tezgë të vendosur në qendër të Prishtinës.

    Ai thotë se meqë tani Shqipëria do të luajë së shpejti ndeshjen e parë në histori në ndonjë kampionat botëror, ai shet më shumë fanella me ngjyrat kuq e zi, dhe jo ato të Kosovës.

    Sonte në orë 20, Kosova luan ndeshjen e parë pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Kjo është hera e parë që Kosova lejohet të përdorë simbolet shtetërore në ndonjë ndeshje.  Në muajin shtator Kosova do t’i nisë garat kualifikuese për botërorin e ardhshëm.

    Në anën tjetër, pas fitores ndaj Katarit javën e kaluar, Shqipëria zhvillon testin e fundit para fillimit të evropianit./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark