×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Ortaku turk i Lorik Tiganit në mesin e të arrestuarve për 83 kg drogë

    Insajderi
    24 February 2022 - 17:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi merr vesh se i arrestuari tjetër në rastin e drogës është edhe bisnesmeni nga Turqia, Onur Vizdik.

    Onur Vizdik është ortaku i Lorik Tiganit të cilët janë arrestuar mbrëmë në Hanë të Elezit për drogë.

    Vizdik dhe Tigani janë aksionarë në kompaninë Tada Group SH.P.K., kompani që merret me restorante dhe ushqim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve Lorik Tiganit, Onur Vizdik dhe pesë personave të tjerë, të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

    “I pandehurin L.T., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Magnum”, me pesë fishekë, e të cilat me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    “Ndërsa, i pandehuri tjetër O.V., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Walther”, që me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, vazhdon njoftimi i Prokurorisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vizdik dhe Tigani janë në mesin e shtatë personave që u kapën me 83 kilogram drogë në Hanë të Elezit të mërkurën.

    Gazeta Insajderi merr vesh se i dyshuar për përfshirje në rast është edhe Mentor Imami, i cili është vëllau i dizajneres së famshme nga Peja. Por që ndodhet në arrati. Derisa i arrestuar është Loriku, dhëndri i saj.

    Bëhet e ditur se droga është zënë në Terminalin Doganor të Hanit të Elezit, e cila ishte e fshehur në pajisje për ndriçim në 160 paketime.

    Të mërkure Policia dhe Prokuria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kapur  83 kg 592 gramë heroinë në pikën kufitare në Han të Elezit, ku arrestuan shtatë persona, gjashtë prej tyre kosovar dhe një shtetas i Turqisë.

    Organet e rendit kanë paralajmëruar se pritet të sekuestrohen vetura e villa në Brezovicë.

    “Lidhur me operacionin nga të dyshuarit janë sekuestruar: kamioni në të cilin janë gjetur substancat narkotike, një kombibus,  një veturë, dy armë zjarri me 5 fishekë, para të gatshme 11.630 euro, 55 dollarë, 670 dinar të Maqedonisë, 8250 lira turke, 12 telefona celularë, disa dokumente, ndërsa në proces të sekuestrimit janë edhe 12 vetura, një shtëpi dhe villa në Brezovicë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Ky aksion  nga Policia e Kosovës ishte në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Doganën e Kosovës.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj Shukri Jashari, në konferencën për media të mërkurën mbrëma tha se kjo ngarkesë ishte nisur nga Turqia./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark