Dy organizata të lirisë së shtypit në SHBA kritikuan ashpër fushatën kundër gazetarëve në Turqi.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe “Freedom House”, shprehën shqetësim për mbylljen e mediave dhe arrestimet e disa gazetarëve të tjerë vetëm gjatë kësaj jave.
Pas shkarkimit të rreth 2400 ushtarakëve në Turqi, tashmë udhëheqësit ushtarakë kanë filluar proçesin e zëvendësimit të 149 gjeneralëve dhe admiralëve, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në ngjarjet e 15 korrikut. Gjithashtu, qeveria turke ka mbyllur deri më tani 131 kanale televizive, gazeta dhe media të ndryshme.
Sipas të dhënave që vijnë nga Turqia, urdhërat e kësaj jave për mbylljen e mediave janë pasuar nga fletë-arreste për 88 gazetarë, si dhe ndalimin e 47 ish-drejtorëve dhe gazetarëve kryesorë të gazetës më të madhe në Turqi, “Zaman”. Deri më tani, raportohet se vetëm 18 gazetarë janë arritur të arrestohen.
Turqia ka ndaluar deri më tani rreth 13 mijë ushtarakë dhe punonjës të gjyqësorit të dyshuar se kanë lidhje me Fethullah Gulen. Dhjetëra mijëra punonjës të tjerë shtetërorë janë pezulluar nga puna në sektorët e arsimit, shëndetësisë, pushtetit lokal dhe madje edhe në kompaninë ajrore Turkish Airlines.
Goditjet ndaj mediave në Turqi kanë filluar që në vitin 2013 pasi prokurorë që mbështesin Gulen filluan hetime masive për korrupsion ndaj aleatëve të Erdogan.
Që në vitin 2013, Freedom House e ka vendosur Turqinë në kategorinë e vendeve jo të lira. Vitin e kaluar, Turqia kishte 71 pikë në sistemin prej 100 pikësh që përcakton vendin me më pak liri shtypi. /VOA