×
  • Lajme
  • Insajderi

    𝐎𝐫𝐠𝐚𝐧𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢 “𝐬𝐭𝐮𝐝𝐞𝐧𝐭𝐨𝐫” 𝐤𝐮𝐧𝐝ë𝐫 𝐀𝐬𝐨𝐜𝐢𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭, 𝐚𝐫𝐚𝐧𝐳𝐡𝐨𝐡𝐞𝐧 𝐚𝐮𝐭𝐨𝐛𝐮𝐬ë 𝗳𝗮𝗹𝗮𝘀 𝐧ë 𝟗 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐚

    Insajderi
    14 February 2023 - 20:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Organizata “studentore” e cila njihet për afërsitë me partinë në pushtet, Studim, Kritikë dhe Veprim (SKV), e cila tash është në krye të Parlamentit Studentor, ka vërtetuar edhe njëherë lidhjet me LVV-në. Nesër, më 15 shkurt pritet të protestohet kundër Asociacionit nga “studentët” e Universiteti Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

    Për ta realizuar këtë rezistencë në mënyrë të suksesshme dhe me pjesëmarrje masive, janë aranzhuar edhe autobusë nga plotë nëntë komuna të Kosovës.

    Kjo është bërë e ditur nga vetë organizata studentore përmes faqes në facebook.

    “Nisjet e organizuara me autobusë nga komunat e Kosovës. Transporti do të jetë pa pagesë. BASHKOHUNI! #BashkëKundërAsociacionit“, thuhet në postim.

    Gazeta Insajderi ka pyetur kryesinë në lidhje me financat e organizatës për mundësimin e transportit në komunat përkatëse.

    Sekretari i saj, Edi Zenelaj tha për Insajderin se autobusët janë mundësuar nga disa biznese e donatorë që e kanë përkrahur nismën.

    “Autobusët mbulohen prej donatoreve, kanë me i publiku të gjithë qe kanë kontribu, mujm me i publiku sot, mundemi nesër. Ata i kan kry këto shpenzime”, tha Zenelaj për Insajderin.

    Insajderi ka dërguar pyetje edhe tek organizatat e tjera studentore të cilat tashmë nuk janë pjesë e Parlamentit Studentor, UDS dhe Paqja Studentore.

    Kryetari i organizatës UDS, Arbër Gecaj tha se sipas tij Parlamenti Studentor nuk ka kapacitet për organizimin e atij numri të autobusëve, kështu që si organizatë presin të shohin donatorët.

    “Kjo çështje si kauze u nis nga Parlamenti u shndërru në ngjyrime partiatke , parlamenti studentor nuk ka kapacitet me organizu ashtu autobusë kështu që jemi te interesuar të dijmë financimet, kush janë donatorët”, ka thënë Gecaj për Insajderin.

    Në anën tjetër, kryetari i organizatës studentore, “Paqja Studentore”, Florian Murseli tha se studentët që i përkasin kësaj organizate do të bashkohen nesër në marshin kundër asociacionit.

    “Duke marrë parasysh tema që po flitet rreth “asociacionit një etnik”, Paqja Studentore ka vendosur që të jetë pjesë e marshit paqësor”, ka thënë Murseli për Insajderin.

    Megjithatë, Murseli tha se shpresojnë se ky organizim të mos shihet si partiak nga organizatat që jan në kryesi të Parlamentit Studentor.

    “Ne si “Paqja Studentore” do të jemi nesër përkrah studentëve dhe shtetit ku jetojmë e veprojmë. Ne shpresojmë që ky marsh paqësor mos të shihet si organizim “partiak” nga organizatat studentore që janë në Kryesi të Parlamentit Studentor”, shtoi ai për fund./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark