​Osmani: E paligjshme që targat e Millosheviqit të ecin lirshëm nëpër Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Aktuale

    ​Osmani: E paligjshme që targat e Millosheviqit të ecin lirshëm nëpër Kosovë

    Insajderi
    23 October 2022 - 15:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani lidhur me vendimin për targat ilegale, ka deklaruar se Kosova është shtet i sundimit të ligjit dhe duhet t’i jepet fund ndikimit të bandave kriminale të cilat i kërcënojnë qytetarët serbë dhe çdoherë kur ata dëshirojnë t’i përdorin targat e ligjshme të Kosovës, kërcënohen nëpërmjet djegies së shtëpive, djegies së veturave etj.

    Osmani i bëri këto komente gjatë takimit me presidentin e Maltës, George Vella. Sipas saj, çështja e targave është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit sepse mbi 90 përqind të serbëve që jetojnë në Kosovë, tashmë i kanë konvertuar targat e së kaluarës në targa të ligjshme.

    Pra e kanë respektuar ligjin dhe njëkohësisht kanë kontribuar në sundim të ligjit dhe në trajtim të të gjithëve në mënyrë të barabartë para ligjit.

    “Sa i përket një pakice të vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat dhe i shfrytëzojnë targat e Millosheviqit, kërkesa jonë është që të respektohet ligji, ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor por edhe praktikat ndërkombëtare, llogariteni se si do të ndiheshin, ta zëmë në një shtet si Polonia në qoftë se 25 vite pas luftës të shihen targat e kohës së Hitelrit. Pra jo vetëm që është e paligjshme por është edhe e pamoralshme që targat e Millosheviqit të ecin lirshëm nëpër Kosovë. Kosova është shtet i sundimit të ligjit, shtet ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë dhe duhet t’i jepet fund ndikimit të bandave kriminale të cilat i kërcënojnë qytetarët serbë dhe çdoherë kur ata dëshirojnë që kjo pakicë që ka mbetur, dëshirojnë t’i përdorin targat e ligjshme të Kosovës, kërcënohen nëpërmjet djegies së shtëpive, djegies së veturave etj. Pra kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe partnerët tanë ndërkombëtar, në qoftë se është një kërkesë që kanë qenë gjatë 20 viteve, është që Kosova duhet të punojë në sundim të ligjit, këtë po e bëjmë, asgjë tjetër prandaj presim përkrahjen e tyre të plotë në sundim të ligjit”, tha ajo.

    Sipas saj, asnjë veprim nuk është kundër serbëve, përkundrazi është për të trajtuar të gjithë të barabartë e jo për të diskriminuar 90 përqind që përdorin targa të ligjshme dhe një pakicë të përdorë targat e paligjshme.

    “Prandaj ne jemi në diskutime me partnerët tanë në mënyrë që të gjithë të mirëkuptojnë që veprimet e institucioneve të Kosovës janë vetëm për rend dhe ligj dhe asnjëherë nuk kontribuojnë për ndonjë tensionim. Të vetmet veprime që kontribuojnë për tensionim janë kërcënimet, frikësimet, djegiet e makinave e të shtëpive që po bëhen nga strukturat ilegale e kriminale të cilat mbështeten dhe financohen nga Vuçiqi, prandaj fokusi duhet të jetë aty, te burimi i tensioneve, te burimi i dhunës, te burimi i kërcënimit, i frikësimit e shantazheve. Ai burim nuk ka qenë dhe as nuk është kurrë në Kosovë, ai burim ka qenë dhe është edhe sot, vetëm e vetëm në Serbi. Aty duhet të drejtohet presioni, jo te institucionet e Republikës së Kosovës që janë shndërruar në shembull për sundim të ligjit, shembull jo vetëm për historinë tonë të re por shembull për gjithë rajonin e më tej“, ka thënë ajo.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark