×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Osmani i reagon Taravarit: Mendo dy herë për çështjet që s’i njeh, plani për veriun parandaloi zgjidhje territoriale

    Insajderi
    08 April 2024 - 08:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kandidati për President i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, aktualisht kryediplomat, i ka reaguar kundërkandidatit të tij Arben Taravari të VLEN-it, pasi ky i fundit e kritikoi për planin 9 pikësh të OSBE-së për deeskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Osmani përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se plani është bërë në koordinim me vendet aleate.

    “Po ta dinte Arben Taravari se si është sintetizuar, përgatitur dhe miraturar plani nëntëpikësh i Kryesuesit të OSBE-së për deeskalim në veri dhe rolin e këtij plani për të parandaluar zgjidhje teritoriale për çështjet etnike në Kosovë, do mendonte dy herë para se të involvohet në lojra elektorale që nuk i njeh dhe që mund ta dëmtojnë shumë interesin e Kosovës! Kosova është çliruar me rezistencë dhe përpjekje të koordinuara. Dhe, liria dhe pavarësia e Kosovës mund të mbrohet vetëm me veprime të koordinuara”, ka shkruar Osmani në ‘Facebook’.

    Osmani ka qenë cak i sulmeve edhe nga akterë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryediplomati aktual i Maqedonisë së Veriut Kosovën e sheh me sytë e ndërkombëtarëve.

    “Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani. Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë”, deklaroi dje ai.

    Osmani ishte cak i sulmeve edhe nga kandidati për deputet i VV’së në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, i cili është njëherësh edhe këshilltar i kryeministrit Kurti.

    Qoku, me anë të një postimi në ‘Facebook’ përveçqë iu është kundërvënë Osmanit, ai ka akuzuar edhe kreun e BDI’së, Ali Ahmetin, për “mbështetje të projektit serbomadh”.

    “Ali Ahmeti, në një nga përgjimet, ato bombat e Zaevit, dëgjohet se si është angazhuar për miratimin e Zajednicës në Kosovë. Aliu mbështetës i flaktë i projektit serbomadh Ballkani i Hapur bërtet nëpër tubime “Rroftë populli serb”, kurse Bujari i tij sjell Lavrovin në territor të NATOs, kur shumica e shteteve perëndimore ia mohuan edhe hapësirën ajrore”, ka shkruar ndër të tjera ai.

    “Bujari që nuk ka vizituar kurrë Kosovën as si ministër i jashtëm e as si kryesues i OSBE-së, megjithëse pati akt terrorist nga ana e Serbisë me çka u kërcënua siguria rajonale”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark