Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë krah për krah me aleatët, në veçanti me ShBA-të, që kufiri i Kosovës të jetë i sigurt dhe që të parandalojnë sulme terroriste si ai i 24 shtatorit në Banjskë.
“Ne do të vazhdojmë t’i zbatojmë standardet më të larta për një gjykim të drejtë dhe do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me aleatët, në veçanti me ShBA-të, që kufiri ynë të jetë i sigurt dhe që të parandalojmë sulme të tilla”.
Kështu ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Osmani ka thënë se ky bashkëpunim me aleatët e vendit është akoma më i fortë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Basnjkë të Zveçanit, derisa ka theksuar se kryesit e këtij akti agresioni duhet të mbahen të përgjegjshëm.
“Për këtë sulm agresioni duhet të ketë përgjegjësi. Serbia duhet të ekstradojë të gjithë ata q֝ë ishin pjesë e planifikimit, organizimit dhe financimit të këtij akti agresioni ndaj Kosovës”, ka thënë tutje e para e vendit.
Osmani ka shtuar se bashkëpunimi me aleatët duhet të jetë bosht i veprimeve të Republikës së Kosovës.
“Puna jonë e përbashkët me Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe mbetet jetike në Republikën e Kosovës, si një ndër përpjekjet tona pa kompromis për sundim të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu edhe në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shtuar ndër të tjerash Osmani.