Insajderi
Lajme

OVL e UÇK-së kritikon Gjykatën e Hagës, pasi nuk ia lejoi “Calit” të vizitonte babanë

Insajderi
25 December 2025 - 12:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
OVL e UÇK-së kritikon Gjykatën e Hagës, pasi nuk ia lejoi “Calit” të vizitonte babanë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, pasi këto të fundit nuk i lejuan Salih Mustafës të vizitojë të atin, para se të ndërrojë jetë.

Në një deklarim zyrtar, OVL UÇK-ja thotë se vendimi i Hagës është “i pashpjegueshëm” dhe “johuman”, duke vlerësuar se përbën shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut.

“Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore” thuhet në reagim.

Ky është reagimi i plotë:

OVL UÇK shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit.

Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor.

Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale.

Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore.

Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar.

Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark