Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, pas një video-adresimi të saj, në të cilin foli për pavarësinë e gjykatës, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, si dhe përkushtimin e institucionit ndaj sundimit të ligjit.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK ka kundërshtuar atë që e cilëson si pretendim se gjykata mund të zgjedhë ligjin që rregullon veprimtarinë e saj, duke theksuar se ligjet në Kosovë miratohen nga Kuvendi.
“Zonja në fjalë duhet ta dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vetë Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, Trendafilova i trajton çështjet që lidhen me sundimin e ligjit dhe interpretimin e vendimeve gjyqësore.
“Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë”, thuhet në reagim.
Organizata ka theksuar se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë, sipas saj, një e drejtë legjitime dhe se nuk do të heqë dorë nga kundërshtimi i tyre.
Në reagim, OVL-UÇK ka mbrojtur edhe një herë qëndrimin e saj për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta ndryshojë atë që organizata e konsideron si të vërtetën për luftën çlirimtare.
“Gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar”, thuhet më tej në reagim.
OVL-UÇK ka vlerësuar se në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar, sipas saj, si dinjiteti, ashtu edhe profesionalizmi.