Falë golit të Mikel Oyarzabal, Spanja u kurorëzua me epitetin e kampiones së Europës pasi e mposhti Anglinë në finalen e Berlinit me rezultat 2:1.
Futbollisti ofanziv, në pronësi të Real Sociedadit, ka folur pas ndeshjes së mbrëmshme, e cila ishte e ëndrrave për të, ndërsa nuk e fshehu krenarinë dhe gëzimin për kontributin e tij, shkruan “Gazeta Express”.
“E bëra punën time dhe jam mjaft me fat që e shënova golin vendimtar. Dhe, nëse je mjaftueshëm me fat për ta shënuar atë gol… Ky është maksimumi”, deklaroi fillimisht lojtari ofanziv anësor, i cili mund të luajë edhe si një 9-sh fals.
“Kam kaluar periudha të vështira shkaku i lëndimit, kështu që ky gëzim është special, për krejt ato nëpër të cilat kam kaluar. Ishte radha ime të shënoja gol, por kjo fitore është për të gjithë: kjo skuadër është një familje”, vazhdoi Oyarzabal në intervistën e dhënë në mikrofonin e “RTVE”.
Spanja e siguroi titullin e katërt të kampionit të Europës, kurse Anglia mbeti pa trofe, derisa e humbi finalen e dytë radhazi.