Pacienti – mes frikës dhe nevojës për shërbim mjekësor – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Pacienti – mes frikës dhe nevojës për shërbim mjekësor

    Insajderi
    10 April 2017 - 20:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ishte marsi i vitit 2015, ditë e mërkurë, kur një nënë lindi fëmijën e saj në korridor të repartit të Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Rrëfimi i Sabile Krasniqit për lindjen e foshnjës në korridor dhe pa ndihmën e askujt, kishte shokuar opinionin.

    Kjo kishte ndodhur, siç rrëfente ajo, për shkak të neglizhencës së një motre kujdestare. Madje e kishte fyer nënën që veçse po e lindte fëmijën.

    “Tri herë i kam thënë motrës se më doli bebja, e ajo më është përgjigjur ‘mos ec si e killavtë’”, tregonte ajo.

    Sabilja ka treguar se, fillimisht kishte shkuar në tualet për t’u përgatitur për lindje. Por, përderisa ishte duke u kthyer për në sallën e lindjes, asaj kishte nisur t’i dilte koka e fëmijës nga mitra.

    Ajo kishte thënë se për këtë gjë e kishte njoftuar motrën kujdestare, e cila nuk ia kishte vënë veshin.

    Në momentin kur e kishte ndjerë se fëmija po i dilte nga mitra, ajo i kishte zgjatur duart për ta mbajtur peshqirin që e kishte me vete. Në atë moment foshnja i ka rënë në peshqir, dhe fatmirësisht kishte arritur që ta lëshojë në tokë pa u lënduar, kurse vetë ishte rrezuar.

    “Kur e kam parë beben, ka qenë e zezë. Kam bërtit – kuku më ka vdek vajza”, rrëfente Sabilja asokohe.

    Edhe pse e kishte dëgjuar foshnjën e saj duke qarë, ajo nuk kishte besuar se ajo ishte gjallë.

    Motrën kujdestare ajo e kishte përshkruar si një zeshkane, jo shumë e gjatë.

    “Zeshkane, jo shumë e gjatë. I ka pas do vathë të kaltër”, nxirrte kujtimin e rëndë ajo. Për këtë rast ende nuk dihet nëse është ndërmarrë ndonjë masë ndaj personave përgjegjës.

    Rasti tjetër: Dyshohet se fëmija ra në pllaka pas lindjes

    Rasti më i freskët i cili ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë, është para disa ditësh. Fëmija ra në pllaka gjatë lindjes, e cila ka pësuar gjakderdhje në tru, ka thënë babai.

    Prindërit e kanë akuzuar stafin mjekësor për neglizhencë të rastit. Ndërsa nëna e fëmijës ka thënë se nuk ishte ndihmuar as nga infermieret.

    Babai i foshnjës, Bekim Qerimi, ka denoncuar rastin në polici dhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pret që të merren masa ndaj atyre që lejuan lëndimin e foshnjës së tij.

    Ai ka bërë të ditur se foshnja është gjallë, por ka gjakderdhje në tru.

    Megjithatë, QKUK-ja thotë se është duke u marrë me hulumtimin e shkaqeve që kanë ndodhur në këtë rast.

    “Drejtoria e Përgjithshme e SHSKUK-së ka kërkuar deklaratë me shkrim nga menaxhmenti i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike duke kërkuar sqarim, informacione dhe hulumtim të detajuar në lidhje me rastin, të gjeturat dhe përgjegjësinë eventuale. Po ashtu, janë kërkuar deklaratat nga shefi i ndërrimit, mjekët, shefi i sallës, mamive apo të gjithë personave të tjerë që lidhen me rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të QKUK-së.

    Shoqata e Pacientëve kërkon përgjegjësi për rrëzimin e foshnjës në Gjinekologji

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, ka kërkuar përgjegjësi për lëndimin e foshnjës pas lindjes në Klinikën Gjinekologjike.

    Kjo shoqatë ka thënë se tashmë nuk ka asnjë dyshim rreth rastit, sepse ka fakte të mjaftueshme.

    Përmes një reagimi për media, PRAK  ka konkluduar se stafi ka dështuar që të marrë masat preventive që pacienti të trajtohet në mënyrë të sigurt brenda institucionit, ashtu siç është e përshkruar në nenin 1 dhe 9 të Kartës së të Drejtave të Pacientëve.

    Kjo shoqatë ka kërkuar nga organet e shëndetësisë, që nga ministri e deri tek menaxhmenti i klinikës, që në një kohë sa më të shkurtër të marrin masa për personat përgjegjës në proporcion me dëmet që i kanë shkaktuar.

    “Kjo për faktin se ky staf nuk është i denjë të jep shërbime për pacientë, pa u pastruar nga pretendimet se kanë shkelur të drejtat e pacientit. Ky do të ishte një satisfaksion moral për nënën dhe foshnjën e saj, por edhe do ta përmirësonte imazhin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe punëtorëve të tjerë të zellshëm të cilët e kryejnë detyrën me përkushtim”, thuhet në fund të reagimit.

    Mjeku kërcënon personin që kërkonte ta ndihmonin gruan e tij të sëmurë

    Një qytetar nga Mitrovica ishte është kërcënuar nga kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Xhemajl Selmani vetëm pse kishte kërkuar mjek për ta trajtuar gruan e tij.

    “Moni more, moni qashtu. Prej Mitrovice erdha. Tash me lanë grun me dek a? Nuk bon more k’shtu. Çka me ba tash unë? Nuk po di unë. O t’u dek e kom shoqen, hej. Me katër shmigovacat e kom pru. Prej Mitrovice erdha e tash mos me marrë kush në dorë. Mani more se nuk bon k’shtu”, kërkonte ndihmë qytetari i Mitrovicës.

    Por kreu i Sindikatës, Xhemajl Selmani e kishte kërcënuar qytetarin që të largohej, ndryshe do ta kapte për fyti.

    “Ik prej qituhit, ik prej qituhit mos të kapi për fyti”, kërcënohej Xhemajli.

    Përveç hallit që kishte, qytetari nuk hezitoi t’i kundërpërgjigjej.

    “Ti me m’kap për fyti mu a?. Kujna ia ngjet ti për fyti. Majmuni i thiut. Shkollën ta shkërdhefsha. Shkolla jote. Pisi i keq”, i ishte përgjigjur qytetari kërcënimit të mjekut.

    [arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=Y2OKUUoxPtM”/]

    Qytetari kishte kërkuar ndihmë gjatë protestës njëorëshe të personelit shëndetësor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilët kanë kërkuar kushte më të mira të punës dhe rritje pagash, kthimin e ligjit për paga në bazë të koeficientit, investime në pajisje e material harxhues.

    Protesta ishte paralajmëruar ditë më parë nga Sindikata, pas një takimi me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmanin. Sindikata nuk kishte marrë premtim për realizimin e të gjitha kërkesave.

    Protesta është paralajmërimi i parë pasi sindikalistët kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark