×
Insajderi / Insajderi

Pacolli demanton Gërvallën për Togon: S’ka pasë tërheqje të njohjes më 2019

Insajderi
17 January 2023 - 17:58

Republika e Togos të hënën njoftoi se kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës. Edhe atë nga lokacioni Serbi. Është ministri i Jashtëm, Robert Dussey që tha se tërheqja është “përfundimtare”. Pas këtij raportimi reagoi ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, duke drejtuar gishtin drejt Behgjet Pacollit. Ajo deklaroi se ç’njohja e Togos nuk ka ndodhur në kohën e kësaj qeverie por në vitin 2019.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, në një prononcim për Periskopin ka demantuar ministren Gërvalla, duke thënë se Togo s’ka bërë tërheqje të njohjes më 2019. Përkundrazi, z. Pacolli thotë se në kohën e tij ka pasur raporte shumë të mira me të njëjtit.

“Unë nuk dua të hy në polemikë me zonjën Gërvalla, ajo e përfaqëson këtë dikaster e ajo të mendon si me i ruajt gjegjësishtë si me i shtuar njohjet e Kosovës”.

“Nuk ka pas tërheqje të njohjes por propagandë të Serbisë, unë kam pas relacione shumë të mira me ta”tha Pacolli

Kujtojmë se njohjen e Kosovës nga Togo e solli më 2014 ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ku së bashku me homologu i tij togolez, Robert Dussey kishin nënshkruar në Prishtinë marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, pak javë pas njohjes zyrtare që ky shtet i kishte bërë pavarësisë së Kosovës.

Periskopi sot gjatë ditës kontaktoi edhe me z. Hoxhajn, dhe i njëjti është përgjigjur vetëm shkurt.

‘’Po unë e kam sjellë atë njohje’’.

Hoxhaj më pas reagoi reagoi edhe përmes rrjetit social Facebook duke thënë se Qeveria duhet të sqarojë nëse vendit tonë i janë tërhequr disa njohje.

Hoxhaj thotë se “tërheqja e disa njohjeve ka ndodhë dhe mjerisht do të ndodhë, sepse Serbia po i bënë fushatë të egër Kosovës kudo, ndërsa askush nga Qeveria Kurti as nuk i viziton shtetet që kanë njohur pavarësinë, as nuk mbajnë komunikim të rregullt diplomatik me këto vende, as nuk i thërret në telefon askush, as nuk e dijnë se ku gjenden në hartë, çfarë flamuj kanë ose si quhen kryeqytetet e tyre!”

“Njohja e shtetit është një akt politik dhe legal kur një shtet vendos për ta njohur një shtet të ri – sikurse Togo që njohu Kosovën më 2 korrik 2014, pas vizitës që i kisha bërë Togos si ministër i jashtëm më 20 janar 2014”, ka shkruar Hoxhaj.

“Me njohje, shtetet gëzojnë të drejtën të vendosin marrëdhëniet diplomatike me shtete të tjera – sikurse ndodhi me 21 korrik. Pak javë pas njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës, kisha nënshkruar në Prishtinë së bashku me ministrin e jashtëm të Togos marrëveshjen për marrëdhëniet diplomatike në mes të dy shteteve. Njohja është një parakusht bazik që të nënshkruhen marrëveshje dy apo shumëpalëshe dhe që një vend të merr mbështetje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare – sikurse e ka mbështet Togoja shtetin tonë!”, tha ai.

Më tej Hoxhaj ka shkruar se “kur një shtet në rrafshin bilateral e tërheq njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit, sikurse Togo dje, duke marr vendim politik, përcjellë qëndrim me shkrim përmes notës verbale dhe lëshon komunikatë publike në Beograd, është goditje në zemër pozitës ndërkombëtare të shtetit tonë dhe një skandal i madh i politikës të jashtme të dështuar të Kosovës”.

“Tërheqja e disa njohjeve ka ndodhë dhe mjerisht do të ndodhë, sepse Serbia po i bënë fushatë të egër Kosovës kudo, ndërsa askush nga Qeveria Kurti as nuk i viziton shtetet që kanë njohur pavarësinë, as nuk mbajnë komunikim të rregullt diplomatik me këto vende, as nuk i thërret në telefon askush, as nuk e dijnë se ku gjenden në hartë, çfarë flamuj kanë ose si quhen kryeqytetet e tyre! Nuk kanë as strategji, as plane në këtë luftë diplomatike kundër Serbisë, por dorëzim dhe nënshtrim të plotë ndaj saj! “

“Sa kam qenë ministër i jashtëm, zyrtarisht Kosovën e kishin njohur 115 shtete. Sot, qeveria duhet të sqarojë nëse Kosovës i janë hequr disa njohje! Ka të bejë me interesin vital të Kosovës dhe përgjegjësinë e mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe ministrja e jashtme për këtë dështim!”, ka shkruar Hoxhaj.

“E nëse mendoni që po flas sepse jam opozitë dhe jo nga keqardhja për goditjen që po e pëson Kosova, jam i gatshëm të jem edhe më konkret rreth kësaj teme, duke nxjerr liderët institucionalë gënjeshtarë të mirëfilltë, të tillë sikurse ishin dhe janë! Ata nuk kanë nevojë ta nxjerrin inatin dhe mllefin përbrenda që kanë kundër opozitës brenda Kosovës, por duhet të heqin dorë nga betejat e humbura të fëmijërisë politike dhe të hartojnë një strategji e plane për luftën e egër diplomatike të Serbisë kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës!”, ka shkruar Hoxhaj.

Që kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Serbia e ka kundërshtuar atë dhe ka tentuar që të bindë shtetet që të mos e njohin Kosovën, ose të tërheqin njohjen.

Pavarësisht se Serbia shpesh ka njoftuar për tërheqjen e njohjes, ekspertët kanë thënë se sipas normave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare nuk mund të tërhiqen njohjet.

Serbia ka nisur fushatën për çnjohje që nga viti 2017. Ndërkaq, që nga pavarësia, tenton të bllokojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika
Insajderi
01 September 2023

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark