Derisa ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka promovuar mbrojtjen e natyrës dhe burimeve natyrore, Qeveria Kurti ka miratuar një varg vendimesh për dhënien me qira të tokës pyjore për shfrytëzim të gurit gëlqeror, gurit dekorativ dhe materialeve të ngurta.
Vetëm në mbledhjen e 25 shtatorit, Qeveria ka miratuar nëntë vendime të tilla, me të cilat janë përfshirë gjithsej rreth 213 mijë metra katrorë, apo mbi 21 hektarë tokë, në Kaçanik, Gllogoc, Rahovec, Suharekë dhe Shtime, shkruan Insajderi.
Në vendimet e Qeverisë thuhet se bëhet fjalë për “Kontratë për qiranë e tokës pyjore”, ndërsa destinimi i sipërfaqeve është nxjerrja dhe përpunimi i gurit gëlqeror, shfrytëzimi i gurit dekorativ, separimi i gurit dhe vendosja e mekanizmave për përpunimin e materialit.
Në total, sipas shumave të përcaktuara në draft-kontratat e përmendura në vendime, qiratë për këto sipërfaqe arrijnë në rreth 161.8 mijë euro.
Vendimi i parë, nr. 14/02, i jep kompanisë “Lunary Company” SH.P.K., me pronar Linda Arbri Dashi Deda, një pjesë të parcelës në zonën kadastrale Semajë të Kaçanikut, me sipërfaqe 6,078 metra katrorë, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror deri më 23 dhjetor 2026. Draft-kontrata parashikon pagesë totale prej 256.58 eurosh.
Më pas, Qeveria ka miratuar dhënien me qira të 24,923 metrave katrorë në Vasilevë dhe Korroticë të Epërme të Gllogocit për kompaninë “Tekno-Burimi” D.D.SH.. Sipërfaqja është dhënë për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror dhe vendosjen e mekanizmit, deri më 10 shtator 2029. Shuma e përcaktuar në draft-kontratë është 7,814.17 euro.
Në Rahovec, Qeveria ka miratuar dhënien me qira të 47,231 metrave katrorë në zonën kadastrale Rahovec për kompaninë “Mendi-P” SH.P.K., për nxjerrjen e gurit gëlqeror deri më 19 maj 2039. Draft-kontrata parasheh pagesë prej 60,452.45 eurosh.
Të dhënat publike të biznesit e lidhin “Mendi-P” me Astrit Thaqin si pronar.
Në Samadrexhë të Suharekës, Qeveria ka miratuar dy vendime për kompaninë “Bardhi-SG” SH.P.K., me pronar Muhamet Sinanin. Në njërin rast bëhet fjalë për 24,997 metra katrorë, të dhëna deri më 9 janar 2031 për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror, me vlerë të draft-kontratës 11,060.89 euro.
Me vendimin tjetër, së njëjtës kompani i janë dhënë edhe 7,289 metra katrorë në të njëjtën zonë, deri më 10 shkurt 2029, për vendosjen e mekanizimit për separimin e gurit gëlqeror. Vlera e draft-kontratës është 1,830.24 euro.
Në Zatriq të Rahovecit, “E.D. Berisha” SH.P.K. ka përfituar vendimin për 49,999 metra katrorë tokë pyjore, për shfrytëzimin e gurit dekorativ deri më 23 tetor 2040. Sipas vendimit, vlera e draft-kontratës është 71,174.38 euro.
“E.D. Berisha” lidhet me Asdren Berishën dhe Ardian Berishën si pronarë.
Në Reçak të Shtimes, për “Toni-Mermer” SH.P.K. është marrë vendim për 19,998 metra katrorë, për vendosjen e mekanizmit për separim dhe deponim të materialit të ngurtë, deri më 26 gusht 2028. Qiraja e përcaktuar në draft-kontratë është 4,037.95 euro.
Pronarë të “Toni-Mermer” SH.P.K figurojnë Fitim dhe Faton Nuredini.
Në të njëjtën zonë, “Guri Company” SH.P.K. ka përfituar edhe 3,348 metra katrorë në Reçak për separim të gurit, deri më 26 shtator 2027, me vlerë të draft-kontratës prej 369.12 eurosh. Dokumentet e biznesit e identifikojnë Asllan Bilallin si pronar të “Guri Company”.
Ndërsa në Strazhë të Kaçanikut, kompania “Diabas” SH.P.K. ka marrë vendim për 29,287 metra katrorë tokë pyjore, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror deri më 30 prill 2028. Vlera e draft-kontratës është 4,845.73 euro.
Kompania “Diabas” ka si pronare Mirvete Çollakun, ndërsa në dokument figuron edhe Xhevdet Çollaku.
Vendimet e Qeverisë vijnë në një kohë kur ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, e ka vendosur mbrojtjen e natyrës në qendër të deklarimeve të saj publike.
Në mars, Pacolli ndaloi aktivitetet ndërtimore ilegale në parqet kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”, duke deklaruar se “parqet tona kombëtare janë pasuri e përbashkët që duhet ruajtur secili nga ne”.
Ajo po ashtu ka deklaruar se mbrojtja e mjedisit është një prej prioriteteve të mandatit të saj, ndërsa në një deklaratë për ujërat ka thënë se ato duhet të shfrytëzohen në mënyrë të qëndrueshme dhe “të mos keq shfrytëzohen dhe të mos keq menaxhohen”.
Në vendimet e 25 shtatorit, megjithatë, Qeveria ka autorizuar dhënien me qira të sipërfaqeve të tokës pyjore për aktivitete minerare dhe përpunim të gurit.
Dokumentet thonë se për këto prona janë zhvilluar procedurat përkatëse, se Agjencia Pyjore ka përgatitur dosjet dhe se, në disa raste, Zyra për Administrimin e Pronës Publike ka konstatuar se nuk kishte interes tjetër publik për pronën.
Në vendime gjithashtu përcaktohet që operatorët duhet të paguajnë 0.10 euro për metër katror në vit dhe të kenë obligim për pyllëzimin e sipërfaqes së marrë me qira dhe mirëmbajtjen e saj për tre vjet pas mbjelljes së fidanëve.
Pra, në të njëjtën mbledhje ku Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti miratoi këto qiradhënie, vendimet e saj lejojnë shfrytëzimin e mbi 21 hektarëve tokë pyjore për aktivitete të lidhura me nxjerrjen dhe përpunimin e gurit. /Insajderi.org/