Kreu i Aleancës Kosova e Re,Behgjet Pacolli, sot në prani në qindra qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve në Mitrovicë, ka mbajtur debatin e radhës për Zhvillim Ekonomik dhe Punësim.
Pacolli ka folur për problemet esenciale me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, duke vënë theks të veçantë në çështjen e papunësinë e cila ndikon drejtpërdrejt ne mirëqenien e qytetarëve, si dhe për mungesën e investimeve kapitale.
Gjatë debatit të tij është përqendruar në ligjin e Trepçës, për të cilin pati kritika të shumta dhe e cilësoi si ligj të mangët.
Ai e ka përmendur ligjin që e kishte propozuar Aleanca Kosova e Re, i cili sipas tij kishte pasur qasje krejtësisht tjetër lidhur me atë se si do të duhej të veprohet me Trepçën.
“Ligji i AKR-së për Trepçën ishte i përgatitur për të shkuar në votim, por atëherë ishte bllokuar nga Muhamet Mustafa, i cili ka qenë deputet i AKR-së dhe ka kaluar në mënyrë ilegale në LDK, duke mundësuar kështu bllokimin e këtij ligji në Parlament”, ka thënë lideri i AKR-së për të shtuar se atëbotë i kishte mbledhur ekspertët ndërkombëtarë për ta shqyrtuar mënyrën më të mirë dhe efektive të qasjes ndaj këtij gjiganti.
Presidenti Pacolli para Mitrovicasve e ka shtjelluar në pika të shkurta programin e AKR-së. Ai ka thënë se programi garanton rritje ekonomike mbi 10 përqind çdo vit, rritje kjo e cila do të krijojë mundësi punësimi diku 60 ose 70 mijë vende pune, me një tendencë që do të jetë gjithmonë në rritje.
I pari i AKR-së e ka akuzuar qeverinë edhe për keqpërdorim të parave të Trustit Pensional të Kosovës. “Ato para nuk janë të qeverisë së Kosovës, por të secilit prej nesh që kemi kontribuar me punën tonë shumëvjeçare”, është shprehur Pacolli. Ai ka thënë se menaxhimi i parave të Trustit duhet të bëhet ashtu siç i konvenon qytetarit dhe jo interesave të ngushta partiake.