×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Paga “për qejfi”, deri në 1075 % tejkalim – BQK zbulon se si e shpenzoi buxhetin Byroja e Sigurimeve

    Insajderi
    18 June 2024 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Visar Duriqi

    Byroja e Sigurimeve për një kohë të gjatë ka qenë nën llupën e Bankës Qendrore. Në një raport konfidencial që e ka siguruar Gazeta Insajderi Mbikëqyrësi jep vërejtje serioze prej mënyrës se si bëhen pagat për persona të caktuar, e deri te tejkalimi i shpenzimeve të lejuara. Në një kategori, BQK gjeti se BKS-ja ka tejkaluar shpenzimet deri në 1075 %.

    Gazeta Insajderi të hënën ka raportuar se si në një raport konfidencial të Bankës Qendrore (BQK) për Byronë e Sigurimeve (BKS) është zbuluar afera e humbjes së të dhënave nga një sulm kibernetik që Byroja tentoi ta mbante larg syve të publikut.

    Në këtë raport zbulohet se si humbën të dhënat, se si Byroja nuk e di as kush e kreu sulmin, se Byroja ishte pre edhe e një kërkese për “haraç” nga hakerët, por që në fund të dhënat e humbura ende nuk ka arritur ti kthej se as nuk arrijnë ti deshifrojë, e as nuk ka kopje të tyre.

    Por, ky raport, një kopje të të cilit e ka siguruar Gazeta Insajderi zbulon se si menaxhohej ky institucion derisa atë po e drejtonte Sami Mazreku, tashmë me vendim të BQK-së i përjashtuar për së paku pesë vite nga industria e sigurimeve.

    Raporti vë në pah se pagat në këtë institucion pothuajse bëhen sipas qejfit të menaxhmentit. Që nuk ka as nivelizim e as meritokraci. E për më shumë, edhe pse bie ndesh me rregullat e operimit të vendosura nga Banka Qendrore, ky institucion në një linjë ka arritur që ti tejkaloi shpenzimet e lejuara në masën 1075 %

    Kush si paguhet në BKS, dhe si u tejkaluan shpenzimet e lejuara nga BQK-ja?

    “Procesi i ekzaminimit ka evidentuar mungesë të theksuar të funksionimit të kontrollit të brendshëm në Byro, ku menaxhimi i rreziqeve ndaj të cilave Byroja është ekspozuar nuk është në nivel të duhur, proces i cili mund të rezultojë që Byroja në vazhdimësi të ballafaqohet me humbje financiare me materialitet të lartë”, kështu e nis raportin konfidencial Banka Qendrore kur flet për mënyrën se si bëhen pafat e si realizohen shpenzimet e tjera në këtë institucion të rregulluar me ligj.

    Raporti zbulon se fillimisht, në vitin 2022 kur ende në krye të Byrosë ishte Sami Mazreku, tashmë i përjashtuar nga tregu i sigurimeve, shpenzimet e njohura si administrative kishin nisur tejkalime të dukshme, fillimisht me 11 %.

    “Për vitin 2022 shpenzimet administrative janë në shumë prej 1,482 mijë euro, ndërsa për të njëjtën periudhe shpenzimet e planifikuara janë në shumë prej 1,336 mijë euro, duke i tejkaluar për 11%”, thuhet në raport

    Por, situata eskaloi shpejt.

    “Për vitin 2022 gjithsej pagat e realizuara përfshirë administratën dhe shitjen janë në shumë prej 1,426 mijë euro, ndërsa për të njëjtin vit financiar planifikimi i tyre ishte në vlerë prej rreth 954 mijë euro, duke tejkaluar planifikimin për rreth 49%”, thuhet tutje në raportin konfidencial të BQK-së që e posedon Gazeta Insajderi.

    Këto varianca të theksuara në kategorinë e pagave reflektojnë menaxhim jo të mirë dhe planifikim jo real të shpenzimeve, thuhet në këtë raport që po ashtu, sipas BQKS “mungesa e rregullores apo procedurës së shpenzimeve ka ndikuar në mangësi të funksionimit të sistemit të kontrollit të brendshëm, ku tejkalim i shpenzimeve të planifikuara është evidentuar edhe te kategoritë e tjera të shpenzimeve strukturale, respektivisht të projekteve, të reprezentacionit, zyrave e të tjera”, thuhet në raport.

    Kështu, sipas raportit derisa BQK-ja ia lejoi Byrosë së Sigurimeve vetëm 954 mijë euro për paga, ky institucion shpenzoi 1 milion e 426 mijë euro vetëm në paga, apo 49 % më shumë se sa vlera e lejuar.

    Kishin të lejuara vetëm shtatë aktivitete, tek kategoria e reprezentacioneve që përfshijë kryesisht udhëtime jashtë vendit e akomodime në hotel, dhe Byroja bëri 20 sosh. Tejkaloi buxhetin për 185 %.

    “Për vitin 2022, sipas të dhënave të ofruara shpenzimet e punëtorive “Grupe punuese” janë në shumë prej 38 mijë euro”, thotë raporti dhe potencon se për këto pagesa në emër të udhëtimeve për punëtoritë të autorizuara nga Kryeshefi Ekzekutiv, përveç faturave dhe konfirmimeve bankare mbi pagesën e bërë, nuk është dokumentuar arsyeshmëria e tyre sikurse punëtoritë e organizuara/qëllimi i ngjarjeve repsektive, numri i pjesëmarrësve dhe elemente tjera.

    BQK-ja thotë që  për mirëmbajtje të veturave, Byroja ka tejkaluar buxhetin hiç më pak se sa 100 %.

    “Për vitin 2022, shpenzimet e mirëmbajtjes se automjeteve ekzistuese, janë në shumë prej rreth 18 mije euro, ndërsa te njejtat janë planifikuar ne shume prej 9 mijë euro, duke rezultuar ne tejkalim prej 100%. tyre dhe Bazuar si më lartë” thotë BQK-ja dhe tregon se nga kontrollimi i mostrave të shpenzimeve respektivisht procesimit të arsyeshmerisë “është evidentuar mungesë e kontrollit të brendshëm, përcjellë fillimisht me mungesë të rregullores së shpenzimeve, tejkalim të shpenzimeve, mungesë të kritereve lidhur me përzgjedhjen e subjekteve të caktuara lidhur me ofrimin e shërbimeve, transparencës dhe mungesë të arsyeshmerisë së tyre”.

    Por, ky mekanizëm shtetëror ka gjetur se të dhënat janë në nivel tejet shqetësues kur flitet për mirëmbajtje të zyrave. Shpenzimet në këtë kategori, sipas BQK-së janë tejkaluar për njëmijë e shtatëdhjetepesë herë.

    “Tejkalimi i theksuar i shpenzimeve është evidentuar te kategoria e shpenzimeve strukturale. Rrjedhimisht me 31 dhjetor 2022, shpenzimet e mirëmbajtjes se zyrave janë rreth 94 mije euro, përderisa sipas planifikimit te tyre për vitin 2022 shpenzimet e zyrave janë planifikuar në vlerë prej 8 mije euro”, konstatohet në këtë dokument konfidencial.

    Keq situata me shpenzimin në paga ishte edhe në vitin 2023.

    “Për vitin 2022 gjithsej pagat për sektorin e shitjes janë në shumë prej 827 mijë euro, ndërsa për tremujorin e parë të vitit 2023 janë në shumë prej 243 mijë euro”, thuhet në raport.

    Një pjesë e raportit potencon edhe mënyrën se si bëhen e si jepen pagat në Byronë e Sigurimeve, që sipas BQK-së gati jepen për qejf të dikujt. Madje as kohëzgjatja e kontratave nuk është sipas pozitave, por sipas  individëve.

    “Nga shqyrtimi i pagave të shitjes, është evidentuar se pagat janë të unifikuara varësisht nga pozitat përkatëse, mirëpo një praktike e tillë nuk është evidentuar te niveli i pagave sa i përket administratës. Po ashtu, nga shqyrtimi i kontratave të punës së punonjësve të Byroja është evidentuar se kohëzgjatja e kontratave dallon, prej 1 vit deri në 3 vite, dhe se janë evidentuar raste ku përkundër pozitave të njëjta, kohëzgjatja e afatit të kontratave të punës dallon”, konstaton raporti konfidencial, raporton Gazeta Insajderi.

    BQK jep vërejtje edhe pse në Byro përmes rregullores së brendshme mbi sistematizimin e vendeve të punës “nuk është e përcaktuar qartë kohëzgjatja e kontratave të punës varësisht nga pozitat respektive”.

    Rrjedhimisht është evidentuar se afati i kontratave dallon varësisht nga punonjësit, mirëpo jo duke u bazuar në ndonjë kriter përfshirë pozitën/funksionin, përvojën e punës, apo edhe ndonjë faktor tjetër relevant”, konstaton raporti konfidencial dhe thotë se “për periudhën e ekzaminuar Byroja, nuk ka rregullore apo procedurë të brendshme të shpenzimeve përmes të cilës do të behej administrimi i shpenzimeve”.

    Në një rast BQK-ja gjeti se në Byro kishte një zyrtar, pa post drejtues, i cili kishte pagë në lartësi të pagës së Drejtorit të Departamenteve.

    “Mungesa e politikave dhe procedurave të mirëfillta të resurseve njerëzore, mundësojnë trajtim jo të drejtë dhe jo të barabartë të punonjësve dhe jo konsistencë në vendimmarrje të punësimeve dhe kompensimeve sipas nevojës dhe përgjegjësve, respektivisht përformances”, bën vërejtje BQK-ja.

    Lexo edhe hulumtimet e tjera të Insajderit për Byronë Kosovare të Sigurimeve:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark