×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Pagesë si në “bahçe të babës”- Çka ndodhi me 6,400 eurot e ndara nga MPJD’ja për projektin e OJQ’së ku punonte dikur Liza Gashi?

    Insajderi
    10 June 2024 - 16:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka ndarë 6,431 euro për një projekt për diasporës në kuadër të OJQ’së “Germin” pa asnjë procedurë konkurrese për pranimin e këtij shërbimi. Pagesa është vlerësuar sikurse të jenë blerë mallra, teksa në të vërtetë këtë pagesë do duhej të kategorizohej si “subvencione dhe transfere”.

    Kështu thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ku shtohet se pagesa është kryer për transportin e 40 pjesëmarrësve të diasporës për dy javë, për realizimin e programit të Germinit “OriginAL”, për të cilën kjo e fundit kishte memorandum bashkëpunimi me MPJD’në, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Po ashtu, bazuar në Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet MPJD dhe OJQ “Germin”, Ministria kishte kryer një pagesë në vlerë 6,431€ për transportin e 40 pjesëmarrësve të diasporës për dy javë gjatë muajit Gusht 2023, për realizimin e programit OriginAL. Pagesa është bërë në bazë të faturës së lëshuar për ministrinë nga kompania e transportit. Kjo pagesë është kryer nga kategoria mallra dhe shërbime por ministria nuk kishte kontraktuar e as zhvilluar asnjë procedure konkurruese për pranimin e këtij shërbimi dhe vetëm ka ofruar mbështetje financiare për realizimin e programit të OJQ-së e cila kishte përgatitur edhe raport narrativ për ministrinë rreth realizimit të projektit. Për nga natyra kjo formë e mbështetjes financiare i takon kategorisë subvencione dhe transfere”, thuhet në gjetjen e ZKA’së.

    Përpara se të emërohej zëvendësministre e MPJD’së, Liza Gashi njihej si “aktiviste për çështje të diasporës” dhe punonte si drejtoreshë e programeve në “Germin”. Për ironi të këtyre gjetjeve, ajo më 2018-ën në një deklaratë thoshte se “po rritet mosbesimi i diasporës ndaj institucioneve shtetërore“.

    Një problem të kësaj natyre ZKA’ja e ka hasur edhe në fondet e ndara të ministrisë së Gërvallës për Unionin e Klubeve Shqiptare të Futbollit, konkretisht organizimin e turneut të futbollit shqiptar në Zvicër.

    “Bazuar në Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet MPJD dhe Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit, për organizimin e turneut të futbollit shqiptar në Zvicër (Kupa e diasporës 2023), MPJD, ka mbështetur këtë aktivitet në vlerë 4,000€ nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve edhe pse mbështetja financiare është bazuar në një marrëveshje zyrtare mbi formën e subvencionimit”, thuhet në gjetjet e auditorit.

    Misionet Diplomatike Konsullore dhe mungesa e transparencës

    Pesë misione diplomatike konsullore nuk i kanë raportuar fare shpenzimet e automjeteve zyrtare, ndonëse e kanë të rregulluar me ligj.

    24 nga to i kanë raportuar në periudha të ndryshme gjatë vitit, ndonëse janë të obliguar t’i raportojnë çdo muaj.

    Kështu ka gjetur ZKA’ja në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të MPJD’së për 2023-ën.

    “Mos raportimi mujor për automjetet e MDK-ve, mund të ndikojë që automjetet zyrtare të mos përdoren për qëllime të duhura. Ministrja edhe më tej duhet të siguroj përmes shefave të MDK-ve që mbajtja e evidencave të bëhet për secilin automjet zyrtar dhe përdorimi i tyre të raportohet në mënyrë të rregullt mujore në Divizionin e Transportit/Logjistikes në MPJD”, thuhet në rekomandimet e ZKA’së.

    Shqetësim tjetër për mungesë transparence nga Misionet Diplomatike Konsullore ngelet edhe mos-raportimi i plotë i kontratave të nënshkruara publike nga konsullatat nëpër shtete të ndryshme përmes KRPP’së.

    ZKA thotë se ministria e diplomacisë s’i ka publikuar kontratat për blerjen e objektit të ambasadës së Britanisë së Madhe në vlerë prej afro 7 milionë euro (ish-shtëpia e aktorit të ndjerë Spike Milligan), për objektin e ambasadës në Senegal në vlerë prej 1,6 milionë eurosh, blerjen e objektit të ambasadës në Kroaci në shumë prej afro tre milionë eurosh dhe blerjen e një kombi për ambasadën në Bruksel në vlerë prej 60 mijë eurosh.

    Gazeta Insajderi vitin që shkoi raportoi ekskluzivisht për detajet nga kontrata e objektit të ambasadës së Kosovës në SHBA, e cila u ble më 2023-ën në vlerë prej 4,5 milionë dollarësh.

    Përveç tjerash, në kontratë figuronin edhe pajisjet dhe instalimet përbrenda objektit. Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, duket se në objektin në fjalë e ‘shijon’ luksin, ku në pajisjet poseduese të shtëpisë figuron edhe frigoriferi për verë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark