×
  • Lajme
  • Lajme

    Paguajnë pica me 500 euro të falsifikuara, marrin 400 euro kusur origjinal

    Insajderi
    11 May 2022 - 11:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rastet kur po kryhen shërbime në biznese të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra e mijëra euro para që dyshohet të jenë të falsifikuara po vazhdojnë të vihen përditë në qarkullim, në tregun e Kosovës. Një rast i tillë i ka ndodhur dje një punëtorit të “Extreme Pizza” në Prishtinë, i cili ka pranuar nga një klient një kartëmonedhë prej 500 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar.

    Rasti është raportuar në stacionin policor “Jugu”, ku punëtori ka deklaruar se 500 euro i kishte pranuar nga 3 persona, pasi kishte dërguar një porosi në rrugën “Kadri Halimi”, në Prishtinë.

    Siç duket kjo është një ‘metodë’ e re për të vënë në qarkullim para të falsifikuara, pasi porosia që kanë marrë tre personat ka kushtuar afër 80 euro dhe punëtori është dashur t’ua kthejë të dyshuarve mbi 400 euro.

    Në momentin e pagesës, punëtori s’e ka vërejtur se paratë mund të jenë të falsifikuara, por pasi kartëmonedha është testuar në aparat, ka rezultuar e falsifikuar.

    Por ky nuk është rasti i vetëm i raportuar në Polici për para të falsifikuara. Edhe një zyrtar i bankës NLB në Drenas ka njoftuar Policinë se kanë pranuar një kartëmonedhë prej 100 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar. Njësia policore ka sekuestruar paratë, teksa është iniciuar edhe rast.

    Sipas burimeve të Sinjalit, kualiteti i parave false që po vihen në qarkullim është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

    Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark