
Një palestinez, i cili ishte arrestuar dhe dënuar nga Izraeli për një sulm kur ishte vetëm 13 vjeç, është liruar pas gati dhjetë vitesh burg.
Ahmed Manasra, tani 23 vjeç, u bë simbol i një vale dhune izraelito-palestineze që nisi në vitin 2015, shkruan BBC, përcjell Insajderi.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin atë dhe kushëririn e tij 15-vjeçar, Hassanin, teksa mbanin thika të mëdha kuzhine në një vendbanim hebre në Jerusalemin Lindor të aneksuar nga Izraeli.
Hassan plagosi një djalë izraelit 13-vjeçar dhe një burrë tjetër para se të qëllohej për vdekje nga policia.
Rasti i Manasras ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes së organizatave për të drejtat e njeriut.
Amnesty International ka deklaruar se ai ka përjetuar “trajtim tronditës”, përfshirë pothuajse dy vjet në izolim të plotë, gjë që ka ndikuar rëndë në shëndetin e tij mendor.
Avokati i tij, Khaled Zabarqa, i tha BBC-së se ai u lirua pasi kreu dënimin e plotë.
Izraelitët e panë moshën e re të Manasras dhe kushëririt të tij në kohën e sulmit si dëshmi se ata ishin indoktrinuar nga propaganda.
Pas sulmit me thikë, Manasra u largua nga vendi i ngjarjes dhe u godit nga një veturë. Një video grafike, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, tregonte atë duke gjakosur rëndë në rrugë, ndërsa një kalimtar izraelit e përqeshte dhe e ofendonte.
Kjo video shkaktoi zemërim të madh në botën arabe dhe shumëkush mendoi se djali kishte vdekur. Megjithatë, disa ditë më vonë autoritetet izraelite publikuan një fotografi të tij duke marrë trajtim në spital.
Më vonë, Manasra u shpall fajtor për tentativë vrasjeje dhe u dënua me nëntë vjet e gjysmë burgim.
Mjekët thonë se gjatë qëndrimit në burg ai zhvilloi skizofreni dhe kishte tentuar të lëndonte veten dhe të tjerët.
Apelimet e përsëritura për lirimin e tij të hershëm u refuzuan, me arsyetimin se ishte dënuar për një vepër terroriste.
Që nga lirimi i tij, familja e Manasras ka refuzuar të flasë për mediat.
“Deri tani, gjendja shëndetësore e Ahmedit është e panjohur, dhe prioriteti i familjes është diagnostikimi, trajtimi dhe ndjekja e gjendjes së tij shëndetësore për të zbutur pasojat që mund të ketë,” tha Khaled Zabarqa.