Tetë zyrtarëve të Doganës së Kosovës dhe një pjesëtar i Policisë Kufitare, të cilët u arrestuan dje nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, para pak minutave kanë arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sot nga ora 11:00, të dyshuarit dalin para Gjykatësit të Procedures Paraprake, ku pritet që Prokuroria Speciale të kërkoj nga një muaj paraburgim për të dyshuarit, shkruan Insajderi.
Insajderi ju sjell pamje nga ambienti i gjykatës, ku shihen të dyshuarit duke dalur nga vetura.
Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Speciale, Dogana dhe Inspektorati Policor i Kosovës thanë se bastisje u kryen dje në 11 lokacione.
Sipas Prokurorisë Speciale, kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.
Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë (9) zyrtarë, tetë (8) nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një (1) zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen.
Po ashtu, nga ky aksion janë sekuestruar sende tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si:
Njëzet (20) plomba zyrtare të Doganës së Kosovës
Dhjetë (10) telefon së bashku me katër (4) sim kartela
Një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek, me leje
Gjashtëmbëdhjetë (16) copë municion jo zyrtar.