Insajderi merr vesh që rasti ku u arrestuan 8 doganierë e një polic ka nisur qysh në vitin 2021. Burimet i kane thënë Insajderit që me masa të fshehta të ligjshme, të dyshuarit ka një kohë të gjatë që përgjohen.
Sipas këtyre burimeve të Insajderit, këta të dyshuar kanë operuar në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Një pjesë e tyre pastaj kanë operuar në pikën kufitare që e ndanë Kosovën me Serbinë.
Dyshimet fillestare, sipas burimeve, janë që të njëjtit në raste të caktuara kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme për të lënë mjete motorike që të kalojnë kufirin pa pritur në rend e pa kontroll fizik, vetëm me kontroll të dokumenteve.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e sotëm, ku tha se u kryen kontrolle në 11 lokacione nga dogana e që është mbështetur prej policisë, ku janë arrestuar nëntë zyrtarë e është sekuestruar armatim, telefona e plumba.
Sipas Prokurorisë Speciale, kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.
Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë (9) zyrtarë, tetë (8) nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një (1) zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen.
Po ashtu, nga ky aksion janë sekuestruar sende tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si:
Njëzet (20) plomba zyrtare të Doganës së Kosovës
Dhjetë (10) telefon së bashku me katër (4) sim kartela
Një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek, me leje
Gjashtëmbëdhjetë (16) copë municion jo zyrtar.
Po ashtu, sot edhe zëdhënësi i doganës, Adriatik Stavileci ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se janë arrestuar tetë doganierë.
“Nga ky aksion janë arrestuar tetë doganierë dhe një zyrtar policor për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion. Ndërsa Inspektorati Policor ka bërë arrestimin e zyrtarit policor”, tha ai për Insajderin.
Lajmin për bastisje e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë për veri, Veton Elshani i cili tha se ky aksion ka të bëjë me doganat.
Edhe Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, i ka thënë Insajderit se aksioni është duke u zhvilluar për veprat penale korrupsioni, marrje ryshfeti dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.