Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në komunën e Shtërpcës për të protestuar lidhur me rastin e plagosjes së dy të rinjve të nacionalitetit serb, që ndodhi të premten më 6 janar 2023.
Në këtë protestë përveç Policisë së Kosovës që janë të pranishëm në disa lokacione në rrugën për në Shtërpcë, janë edhe ushtarët e KFOR-it.
Qytetarët e Shtërpcës në këtë protestë kanë mbajtur pankarta ku shkruhet “Kurti, fëmijët tuaj nuk do t’i falim!”, “Evropa, çfarë faji kanë fëmijët tanë?!”, “Fëmijët tanë nuk janë për plumbin e Kurtit!”, etj.
Më poshtë pamjet nga protesta.
Ndryshe, për shkak të kësaj proteste, Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga Shtërpcë-Prevallë do të mbyllet përkohësisht për qarkullim.
Të lënduar nga incidenti i 6 janarit mbetën një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar, përderisa i dyshuari në këtë rast është një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimi.