Papa Françesku mbushi sot 80 vjeç por duke mos dalë jashtë kornizave të thjeshtësisë se tij, ai ka kërkuar të mos organizohet asnjë festë për të. Papa ka nisur ditën me një meshë për 60 kardinalë në kishën e Paulines.
Përpara meshës, Papa u urua nga kardinali Domenico Calcagno në emër të të gjithë kardinalëve. Më pas, kreu i Selisë së Shenjtë përfitoi nga rasti për të folur për pleqërinë, duke e quajtur atë një fjalë të shëmtuar e të frikshme.
“Prej pak ditësh një fjalë më vjen shpesh në mendje; pleqëria, ajo është e shëmtuar e më frikëson. Lutuni që pleqëria ime të jetë e qetë, fetare, e frytshme dhe e gëzueshme”, tha Papa.
Urimet për Papën argjentinas që gëzon popullaritet të madh për thjeshtësinë dhe përkushtimin ndaj të varfërve, vërshuan nga e gjithë bota.
Presidenti italian Matarela i shprehu atij mirënjohjen për solidarizimin në momentet e vështira të vendit. Ndërsa i përcolli urimet më të mira për ditëlindjen, kreu i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama e falenderoi atë për mbështetjen në normalizimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Kubës dhe shprehu dëshirën që shembulli i përulësisë së Atit të Shenjtë të përhapej në të gjithë botën.
Vatikani krijoi 7 adresa email-esh ku çdo kush mund t’i dërgonte një kartolinë urimi 80-vjeçarit. Ndërkohë me rastin e përvjetorit, Vatikani publikoi të premten një stampë të re.