Papa lutet për Aleppon - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Papa lutet për Aleppon

    Insajderi
    25 December 2016 - 20:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Siria, terrorizmi, emigrantët dhe dhimbja e botës. Mesditën e kësaj të diele, Papa Françesku u shfaq nga lozha qendrore e Bazilikës së “Shën Pjetrit”, për të dhënë mesazhin tradicional të Krishtlindjes dhe bekimin “Urbi et Orbi”.

    “Lindja e Jezusit shoqërohet me nga kënga e engjëjve që njoftojnë: Lavdi Zotit të gjithësisë dhe paqe njerëzve në tokë, të cilët ai i do shumë. Sot, ky mesazh duhet të përshkojë të gjithë tokën dhe të arrijë te të gjithë popujt, veçanërisht ata të dëmtuar nga lufta dhe nga konfliktet e hapura, të cilët e ndiejnë më shumë dhe më fort se kushdo dëshirën për paqe”, u shpreh Ati i Shenjtë.

    Mendimi i parë i tij, sigurisht që shkon për sirianët. “Paqe për burrat e gratë në Sirinë e trazuar, ku është derdhur shumë gjak. Mbi të gjitha në qytetin e Aleppos, skenë përgjatë javëve të fundit e një prej betejave më të përgjakshme, ku është tejet urgjente që të garantohet, bazuar në të drejtat humane, ndihma dhe rehatia për popullin e raskapitur, që gjendet ende në një situatë të dëshpëruar dhe mes vuajtjeve të mëdha të mizorisë. Ka ardhur koha që armët të ndalen së gjëmuari dhe komuniteti ndërkombëtar të veprojë në mënyrë aktive për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar dhe në atë vend të rikthehet bashkëjetesa”, tha Papa.

    Ati i Shenjtë bëri thirrje për paqe për cilindo “që ka humbur nëj person të dashur për shkak të akteve të urryera të terrorizmit, që kanë përjetuar frikën dhe vdekjen në zemër të shumë qyteteve dhe shumë shteteve”. Madje kërkon paqe, jo me fjalë por me vepra, për “vëllezërit dhe motrat tona të braktisura dhe të përjashtuara, e për ata që vuajnë nga uria apo që kanë rënë prè e dhunës”.

    Paqe ka kërkuar edhe për refugjatët, përfshi emigrantë, të cilët sot janë subjekt keqtrajtimesh nga njerëzit e tjerë, por edhe për popujt që vuajnë nga ambiciet ekonomike të atyre shumë pak njerëzve, duke thënë se lakmia për parà të çon në skllavëri. Papa ka kërkuar paqe edhe për viktimat e shumtë të tërmeteve apo katastrofave natyrore.

    E duke kërkuar një jetë më të mirë dhe më të qetë për njerëzit e “Tokës së Shenjtë, të zgjedhurën e preferuar nga Zoti, Papa Françesku artikuloi:

    “Izraelitët dhe palestinezët kanë kurajon dhe vendosmërinë për të shkruar një faqe të re të historisë së tyre, aty ku urrejtja dhe hakmarrja i lënë vendin dëshirës për të ndërtuar së bashku një të ardhme të të kuptuarit dhe harmonisë reciproke”. Por nuk ka lënë pa harruar të bëjë thirrje për unitet në Irak, Libi dhe Jemen, ku popullsitë vuajnë nga lufta dhe nga aktet terroriste.

    Një dedikim pati edhe për Afrikën, veçanërisht Nigerinë e gjunjëzuar nga terrorizmi fundamentalist që shfrytëzon edhe fëmijët për të shkaktuar horror dhe vdekje, por edhe për Ukrainën, Venezuelën dhe Azinë. E duke qëndruar te njerëzit më të prekshëm, fëmijët, Ati i Shenjtë ka thënë se “në këtë ditë speciale, kur Zoti bëhet fëmijë, kërkoj paqe për ata që janë të privuar nga gëzimet dhe fëmijëria për shkak të urisë, luftrave apo egoizmave të të rriturve”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark